Ervis Belollari është shqiptari që po korr sukses në kinematografinë turke. Ai tashmë ka një rol në serialin e suksesshëm “Osmani”.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar si u bë pjesë e këtij seriali dhe rolin që ka. Ervisi zbuloi se aktori i parë që e ka afruar fillimisht në sheshxhirime ishte Burak Özçivit.
Ai zbuloi edhe disa nga prapaskenat e serialit, ku aktorët luftonin vërtet, madje kishin shkuar edhe në spital.
“Unë jam 23 vjeç, jam me origjinë nga Pogradeci, po jam rritur në Librazhd. Kam studiuar në Turqi dhe që 7 vjeç kam pasur dëshirë të bëhesha pjesë e serialeve turke. Thoja kur i shikoja nga ekrani që do shkoj një ditë atje.
Jam një nga mbrojtësit e kalasë së osmanëve, një nga pozicionet më të larta që mund të kesh është ky. Janë edhe tre aktorë shqiptarë nga Maqedonia që luajnë aty.
Ditën e parë kur kam shkuar në xhirime, nuk doja të ndihesha larg dhe u afrova. I pari që erdhi ishte Burak Özçivit dhe i thash “Jam nga Shqipëria. Është kënaqësi të bëhem pjesë e serialit”.
Shpatat janë të vërteta dhe duart më janë bërë plagë. Kam thënë mos më merrni më në luftë, më lini në pozicionin e kalasë së osmanëve. Ka aktorë që janë vrarë dhe kanë shkuar në spital. Çfarë nuk ndodh, është njësoj si një luftë e vërtetë”, u shpreh Ervisi.