
Shpërthimi i fuqishëm që la pas dy të vdekur në Lushnjë, ka shkaktuar edhe dëme në banesat dhe bizneset përreth. Pronari i një pike shitjesh të pajisjeve elektroshtëpiake thotë se dëmet i janë shkaktuar edhe në banesë krahas biznesit.
“Ishim në dyqan dhe dëgjuam shpërthimin. Tronditja ishte e fuqishme. Dëmi në dyqan është shumë i madh. Pjesa e biznesit ka dëmtime ashtu edhe pjesa e shtëpisë. Janë dëme të papara. Shpërthimi zgjati pak sekonda por ishte shumë i fuqishëm. Nuk e kuptuam nga erdhi dhe fillimisht se plasi bombola”, tha një pronar biznesi në zonë.
Nga shpërthimi që erdhi si rezultat i kontaktit të një vinçi me rrjetin elektrik, humbën jetën drejtuesi i mjetit, Landi Hoxha dhe djali i tij Elidoni, ndërsa mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë përfshirë deputetin e Partisë Socialiste, Bujar Çela.