Në gusht 2022, Ministria e Industrisë së Tajlandës mori një kërkesë nga qeveria shqiptare për të lejuar marrjen e ngarkesave me përmbajtje hiri nga furrnaltat me hark elektrik, EAFD, një nënprodukt i industrisë së çelikut i pasur me metale të rënda dhe i klasifikuar si mbetje e rrezikshme.

Tajlanda ishte një importues i madh i mbetjeve industriale dhe urbane nga vendet e zhvilluara, e megjithatë, këtë herë, ministria tha “Jo”.

EAFD kanë qenë një problem i madh për Tajlandën dhe ministria nuk donte ta përkeqësonte atë,” i tha BIRN Sirakarn Leungsakul, drejtor i Divizionit të Menaxhimit të Mbetjeve Industriale në Ministrinë e Industrisë me seli në Bangkok.

Tregtia ndërkufitare e EAFD rregullohet nga konventa e Bazelit, një marrëveshje ndërkombëtare e cila siguron që këto mbetje trajtohen në mënyrën e duhur për të zvogëluar rrezikun ndaj njerëzve dhe mjedisit.

Por refuzimi i Ministrisë ndaj kërkesës së Shqipërisë nuk ishte fundi i historisë.

Pothuajse dy vjet më pas, më 5 korrik 2024, një anije e ngarkuar me 102 kontenjerë të mbushur me atë që listohet si Oksid Hekuri në dokumentet doganore, u nis nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.

Basel Action Network, një organizatë me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara që lufton kundër eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga shoqëritë e industrializuara drejt vendeve në zhvillim, deklaroi se në të vërtetë anija po transportonte EAFD.

Anija u zhduk nga radarët ndërsa po udhëtonte në bregdetin e Afrikës së Jugut, shpesh një shenjë kjo e fikjes së transponderit të anijes. Ky ishte momenti kur Basel Action Network shpërndau alarmin. Anija u ndalua në Singapor dhe u udhërua të kthehej pas në Durrës, ku prokurorët filluan ndërkohë që të ngrinin pyetje.

Bazuar në informacionet e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi, BIRN mundi tani të zbulojë se mes viteve 2020 dhe 2023, një sasi prej rreth 20 mijë ton mbetjesh të rrezikshme të gjeneruara nga oxhaqet e kompanisë turke “Kurum International” që operon në Elbasan ishin eksportuar jashtë Shqipërisë, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mbetjet u eksportuan nga kompania “Sokolaj” sh.p.k në pronësinë e Gjovana Sokolajt; ndërsa ngarkesat u nisën pa autorizimet e duhura nga ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit siç kërkohen nga ligji. Të paktën dy prej ngarkesave kanë përfunduar në Tajlandë.

Kompania “Kurum” operon furrnaltat e epokës komuniste për të prodhuar hekur për industrinë e ndërtimit dhe është një punëdhënës i madh në Elbasan.

Megjithatë, BIRN zbuloi se një inspektim i kryer në Kurum nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për mbetjet e rrezikshme, pasi anija u ndalua në Singapor, ishte i pari i këtij lloji që prej vitit 2020, pavarësisht se Kurum është një nga gjeneruesit më të mëdhenj të mbetjeve të rrezikshme në vend.

Ornela Çuçi, një eksperte mjedisore dhe ish-zv.ministre e Mjedisit tha se monitorimi i dobët kishte lejuar që një trafik i tillë mbetjesh të kalonte pa u vënë re.

“Ligji i lejeve mjedisore është një nga më të mirët në Republikën e Shqipërisë sot,” i tha Çuçi BIRN.

“Ajo që ka ndodhur është që kemi abuzuar me monitorimin e tij”.

“Çdo subjekt që nxjerr mbetje jashtë vendit merr leje eksporti. Çdo sasi që del duhet raportuar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe AKM,” shtoi Çuçi. “Matematika është e thjeshtë; A përkojnë sasitë e deklaruara me sasitë e dala jashtë vendit?”.

Kompania “Kurum International” i tha BIRN se i kishte transferuar mbetjet e rrezikshme me përmbajtje oksidi zinku te “Sokolaj” pasi ishte siguruar se eksportuesi kishte licensë për transportin e këtij produkti dhe autorizimin e eksportit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

BIRN i kërkoi “Kurum” një kopje të autorizimit, por nuk e mori asnjëherë atë.

“E gjithë sasia është tregtuar me faturë fiskale, por nuk është shoqëruar me dokumentacionin e transferimit të mbetjeve,” tha “Kurum” përmes një zëdhënësi, duke iu referuar një dokumenti të detyrueshëm transferimi që mundëson gjurmimin e ngarkesave.

Zëdhënësi tha se Kurum i kishte raportuar rregullisht këto mbetje pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

As ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe as drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Mbikëqyrja ‘dështoi’

Shqipëria eksportoi ilegalisht MIJËRA TON mbetje TOKSIKE nga oxhaqet e

Anija “Molivia” e ankoruar në portin e Durrësit. Foto: Eriola Azizolli.

Prokuroria e Durrësit nuk ka thënë ende se çfarë kishte saktësisht brenda kontenjerëve të anijes që u kthye nga Singapori.

Kurum International”, operon pjesë të ish-kombinatit Metalurgjik të ndërtuar gjatë regjimit komunist në Elbasan që prej vitit 1998.

Në vitin 2010, kompania instaloi filtra për të kapur hirin e furrave me hark elektrik, EAFD, por sërish prodhon një mesatare prej 8 mijë tonësh në vit nëse punon me kapacitet të plotë.

Pavarësisht prodhimit të mbetjeve të tilla të rrezikshme, inspektimi për zbatimin e lejes mjedisore që u krye në shtator 2024 ishte i pari që prej vitit 2020.

“Kurum” ia transferoi mbetjet e veta kompanisë “Sokolaj” gjatë viteve 2020- 2023, ndonëse dy kompanitë nënshkruan një kontratë vetëm në gusht 2023.

Agjencia Rajonale e Mjedisit për Beratin, Elbasanin dhe Korçën tha se Kurum dështoi të vendoste në dispozicion të Agjencisë dokumentet e transferimit të këtyre mbetjeve.

Agjencia vendosi një gjobë dhe pezulloi transfertat e mbetjeve të rrezikshme.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “Sokolaj” me qendër në periferi të Durrësit e përshkruan aktivitetin e vet si import dhe eksport i mbetjeve jo të rrezikshme, të tilla si zinku apo bakri.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit gjeti në gusht 2024 se mes dhjetorit 2020 dhe nëntorit 2023, Sokolaj kishte blerë nga Kurum 2,800 ton mbetje të oksidit të hekurit si dhe 20 mijë ton EAFD të klasifikuara si mbetje të rrezikshme me kodin 10 02 07*. E gjithë sasia ishte eksportuar ndërkohë jashtë vendit përpara inspektimit.

Inspektorët arritën në përfundimin se këto eksporte ishin kryer në shkelje të ligjit sa kohë që Sokolaj nuk dispononte dokumente të transferimit të mbetjeve nga Kurum si dhe nuk kishte autorizim eksporti nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Dritan Metaj, drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit për Beratin, Elbasanin dhe Korçën i tha BIRN se ai kishte kryer monitorime sporadike në kompaninë “Kurum” kur kishte pasur “indicie dhe denocime”.

“Nuk kam propozuar një plan monitorimi të miratuar dhe as nga AKM nuk më është autorizuar një plan pune,” tha Metaj.

Ekspertët i thanë BIRN se sipas lejes mjedisore të tipit A, të cilën Kurum e disponon, Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të monitorojë respektimin e lejes dhe të rishikojë rregullisht të dhënat që mbajtësi i lejes dorëzon në Agjenci dhe në regjistrin kombëtar të transferimit të mbetjeve.

“Çdo kompani që ka leje për eksport të mbetjeve të rrezikshme ka detyrimin të raportojë periodikisht”, tha Polikron Horeshka, ekspert i menaxhimit të mbetjeve. “Megjithatë, është mbikëqyrja që në këtë rast që ka dështuar”.

Destinationi Tajlandë

Shqipëria eksportoi ilegalisht MIJËRA TON mbetje TOKSIKE nga oxhaqet e

Ilustrim i rrugëtimit të mbetjeve drejt Tajlandës. Jurgena Tahiri/ BIRN.

Tajlanda u shfaq fillimisht si një destinacion për mbetjet plastike nga vendet e pasura si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, përpara se të hapte dyert edhe për EAFD.

Në vitin 2023, megjithatë, në përgjigje të alarmit mjedisor, Tajlanda bëri thirrje për ndalimin e importit të mbetjeve të rrezikshme, përpara se të ndalonte edhe importin e mbetjeve plastike në fillim të këtij viti.

Njësoj si Shqipëria, edhe Tajlanda ka një rekord të varfër sa i takon korrupsionit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Sasia prej 2,800 ton mbetjesh të etiketuara si oksid hekuri që kompania “Sokolaj” u përpoq të eksportonte në korrik të vitit të kaluar supozohej që të përfundonin në një fabrikë riciklimi të quajtur Copper Metal, e ndërtuar në një zonë të gjelbëruar të provincës Lopburi në Tajlandë.

Copper Metal është e regjistruar si një riciklues i mbetjeve industriale, por jo për trajtimin e EAFD.

Pasi ngarkesa u bllokua, Ministria e Industrisë në Tajlandë urdhëroi një inspektim në kompaninë Copper Metal, në të cilin drejtori i Divizionit të Menaxhimit të Mbetjeve Industriale, Leungsakul tha se u gjet që sistemi i ventilimit dhe makineritë e riciklimit të zinkut nuk punonin siç duhej.

Organizata Mjedisore “Ecological Alert and Recovery – Thailand”, e njohur si EARTH, dërgoi gjithashtu përfaqësuesit e saj, të cilët morën mostra të pluhurit të shpërndarë rreth fabrikës për t’i studiuar. Mostrat janë ende duke u analizuar.

Drejtori i EARTH, Penchom Saetang tha se korrupsioni lehtëson trafikimin e mbetjeve në Tajlandë dhe ata që përfshihen, shpëtojnë për shkak të dënimeve të lehta.

“Shkaku kryesor i këtij problemi në Tajlandë është ‘korrupsioni’ ose ‘ryshfeti’, si nga autoritetet ashtu edhe nga sektori privat,” tha Saetang.

“Edhe pse dënimi maksimal për këtë vepër është 10 vjet burgim, praktikisht shkelësit gjobiten vetëm me një shumë minimale dhe askush nuk është burgosur ende,” shtoi ai.

Kërkesë e re për eksport mbetjesh

“Kurum” ndërkohë kërkon ende që të eksportojë mbetje të rrezikshme.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është aktualisht duke vlerësuar një kërkesë për autorizim për eksportin e 8 mijë ton mbetjeve të rrezikshme nga “Kurum” drejt Arabisë Saudite, të dorëzuar më 25 korrik 2024.

Në kërkesë, mbetjet përshkruhet se përmbajnë “mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve që përmbajnë substanca të rrezikshme ose mbetje pluhur nga furra elektrike me hark (PFEH) me përmbajtje Oksid Zinku në Uzinën e Çelikut”. Kodi i cituar i mbetjeve është 10 02 07*.

“Kurum” thotë se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë Global Steel Dust Gulf – dega saudite e një kompanie të themeluar në Zvicër për trajtimin e 8 mijë ton mbetjeve të rrezikshme në vit.

Në shtator 2024, në ambientet e kompanisë “Kurum” kishte gjendje 3,724 ton mbetje të rrezikshme të paketuara në 4600 thasë bigbags, por “Kurum” tha se kërkesa për autorizimin e eksportit ishte bërë mbi premisën se mund të prodhojë 8 mijë ton në vit nëse punon me kapacitet të plotë. Operacionet e “Kurum” janë aktualisht të pezulluara për shkak të remontit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se e kishte refuzuar fillimisht kërkesën, por tani po shqyrtonte mundësinë e miratimit pasi Kurum kishte dorëzuar dokumente shtesë.

“Pas plotësimit të dokumentacionit nga ana e subjektit, aplikimi është në proces shqyrtimi,” tha Ministria në përgjigje me email.

Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i Basel Action Network tha se Shqipëria duhet të tregohet tepër e kujdesshme.

Fabrikat në Arabinë Saudite nuk i trajtojnë mbetjet sipas standardeve të kërkuara nga konventa e Baselit dhe Arabia nuk është një palë nënshkruese,” tha Puckett./BIRN