Prej disa orësh, një pjesë e madhe e Shqipërisë është përfshirë në një krizë energjetike pas një defekti të rëndë në linjën e transmetimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Shumë qytete dhe zona rurale janë lënë në errësirë.

Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar kaos në aktivitetet e përditshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke nxjerrë në pah vulnerabilitetin e sistemit energjetik të vendit.

Ndërkohë, ky defekt i madh ka rindezur edhe një tjetër front: atë të luftës së brendshme brenda Partisë Socialiste.

Portale pranë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, kanë nisur një ofensivë të hapur mediatike ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe keqmenaxhim të sektorit.

Duket se këto sulme nuk janë thjesht rezultat i situatës aktuale, por një sinjal se lufta politike mes tyre ka arritur pikën kulmore.

Veliaj dyshon se Balluku qëndron pas një sërë sulmesh politike dhe personale ndaj tij, të cilat lidhen edhe me proceset e tij gjyqësore të fundit.

Nga ana tjetër, Balluku duket se ka forcuar pozitat e saj duke ndërtuar aleanca të fuqishme me oligarkët më të mëdhenj të vendit.

Ministrja ka ndarë me ta “tortën” e parave dhe pushtetit, duke konsoliduar një bazë mbështetëse të fuqishme.

Kjo ka krijuar tensione të mëdha brenda PS, ku tashmë duket qartë se lufta për lidershipin e ardhshëm është hapur publikisht edhe pse Veliaj për momentin duket i vdekur politikisht.

Ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e ndërprerjeve të energjisë dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë, brenda PS po zhvillohet një betejë për pushtet, ku çdokush përpiqet të pozicionohet më mirë në prag të sfidave të ardhshme politike.

Black outi aktual nuk është thjesht çështje e një defekti  teknik; ai ka ekspozuar hapur edhe dështimet politike dhe korrupsionin në menaxhimin e burimeve strategjike të vendit./gazetajonë