-640-0-bdi-1024x606-1738945835

Partia me e madhe e opozitës shqiptare e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim jep alarmin për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut nga ana qeverisë Mickovski, duke rrezikuar seriozisht strukturën multietnike të këtij shteti.

BDI me anë të një deklarate bën të ditur se ka informuar zyrtarisht Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për këto përjashtime në institucionet kyçe.

“BDI u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, që të trajtojnë këto shqetësime përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer. Sigurimi i përfaqësimit të drejtë dhe shmangia e margjinalizimit institucional janë thelbësore për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe evropiane.”

Më tej theksohet se këto veprime bien ndesh edhe me Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën për më shumë se dy dekada është bërë përparim i rëndësishëm në integrimin e shqiptarëve, të popullit të dytë më të madh në vend në strukturat shtetërore.

Duke dhënë si shembull, për BDI-në situata duket alarmante ku në institucionet e mbrojtjes e të sigurisë mungojnë shqiptarë në pozicionet drejtuese.

Ndërsa në fushën e kulturës, ndarja e fundit e fondeve shtetërore tregon një mospërfaqësim të dukshëm të shqiptarëve, ku projektet shqiptare kanë marrë më pak se 12% të buxhetit, ndonëse shqiptarët përbëjnë mbi 29% të popullsisë së vendit.