Anëtari i Grupit “Kumanova”, Demë Shehu, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, ka publikuar disa fotografi nga kopështi brenda hapësirave të burgut në Maqedoninë e Veriut, ku po vuan dënimin. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu u shpreh se toka shqiptare është e bekuar dhe se këtë e tregon fakti që mbijnë të gjitha llojet e perimeve.
“Se kjo tokë është Shqiptare dhe e bekuar nga i lumi Zot,e tregon fakti se këtu mbinë të gjitha llojet e perimeve. Kjo tokë e bekuar Shqiptare, e ka ngjajshmërin me fushat e Myzeqes! Kudo që të jemi, kurrë nuk do të rreshtim së mbjelluri farat e çlirimit të tokave tona Ilire-Arbërore-Shqiptare!”, – shkroi ai.
Për ngjarjet e 9-10 majit 2015 në Kumanovë janë dënuar 37 persona me gjithsej 746 vjet burg. 7 janë dënuar me burgim të përjetshëm, 13 me nga 40 vjet burg ndërsa 6 me nga 20 vjet burg. 4 persona u liruan si të pafajshëm ndërsa të tjetërt kanë dënime nga 12 në 18 vjet burg. Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.