Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç ka mbërritur mbrëmjen e sotme në spitalin ku janë trajtuar të plagosurit nga të shtënat me armë në një restorant në Cetinje. Siç tha ai për TVCG, katër persona janë plagosur rëndë, teksa 7 të tjerë, mes tyre dhe 2 fëmijë kanë mbetur të vrarë.

“Një tragjedi e tmerrshme që na goditi të gjithëve. Të gjitha ekipet e policisë ndodhen në vendngjarje për momentin. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur. Mjekët po luftojnë për katër jetë në qendrën klinike. Të gjithë po i nënshtrohen operacioni për momentin dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre”, tha Spajiç teksa njoftoi shpalljen e 3 ditë zie.

“Kemi mungesë kronike të punonjësve të policisë në të gjitha bashkitë. Do të shpallim tender për pranimin e shpejtë të punonjësve të policisë pa pritur vendimin e Këshillit të Evropës dhe do ta shpjegojmë më vonë”, theksoi ai.

Ai ka deklaruar se në gatishmëri është edhe ushtria malazeze, teksa autori i ngjarjes i identifikuar si shtetasi Aco Martinovic, është ende i armatosur dhe në arrati.

Drejtori i Qendrës Klinike të Malit të Zi, Aleksandar Radoviç, thotë se në spital janë dërguar katër pacientë të cilët janë në rrezik për jetën. Bëhet fjalë për tre burra dhe një grua.

“Të gjitha ekipet janë në sallë. Të katër dhomat e operacionit janë tani funksionale. Nuk do të mund të komentoja rezultatin e operacioneve,” tha Spajiç. Ata nuk kanë informacion se dikush tjetër po dërgohet në spital.

Policia tha në një deklaratë se Martinovic vrau të paktën katër persona, duke përfshirë disa anëtarë të familjes së tij, në një restorant, dhe më pas u largua i armatosur.

“Vërejmë se personi është i armatosur dhe i rrezikshëm dhe edhe një herë apelojmë te qytetarët e Cetinjës që të qëndrojnë të qetë dhe të qëndrojnë në objektet e tyre të banimit dhe të mos lejojnë persona të panjohur në shtëpitë e tyre”, tha policia, duke shtuar se ata janë duke marrë të gjitha masat e nevojshme.

Martinoviç e kreu krimin në restorantin “Velestovo”, afër Qendrës Sportive në qendër të Cetinjes.

Sipas portalit RTCG, Martinovic kishte qenë më parë në konflikt me D.K. me të cilin u takua atje. Më pas ai shkoi në shtëpi për të marrë një armë, u kthye në kafene ku vrau dhe plagosi disa njerëz. Pas kësaj, ai u drejtua për në fshatin Humci, ku vrau fëmijët e pronarit të kafenesë dhe një grua.

Cetinja është nën bllokadë policore, ndërsa pjesëtarët e njësisë speciale antiterroriste të policisë malazeze janë në rrugë, duke kontrolluar të gjitha hyrjet dhe daljet nga qyteti.

Në masakrën e madhe që ndodhi në gusht të vitit 2022 në Cetinje, mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre dy fëmijë. Në atë kohë, Vuk Boriloviq nga Cetinja në një gosti të përgjakshme qëlloi rastësisht mbi bashkëqytetarët e tij, pas së cilës u vra edhe ai.