Protesta filloi në orën 17:00 dhe zgjati rreth një orë. Protestuesit mbajtën pankarta me mbishkrime të tilla si “Shteti i oligarkëve”, “Ku është barazia para ligjit?”, dhe “Regjimet oligarkike dënojnë me vetëvrasje”. Ata gjithashtu nuk kursyen thirrje edhe ndaj institucioneve, si “Shteti jonë i kalbët” dhe “E shitët shtetin tek oligarkët”.
Protesta u organizua nga Lëvizja “Bashkë”, ndërsa kreu i saj, Arlind Qori, theksoi mungesën e mediave kryesore që sipas tij, nuk shkuan për të pasqyruar protestën.
Pak më vonë, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, iu bashkua protestës me mbështetësit e saj. Megjithatë, ky veprim nuk u prit mirë nga përfaqësuesit e “Bashkë”, të cilët pretendonin se diçka e tillë nuk ishte diskutuar më parë. Kjo shkaktoi përplasje mes dy grupeve, dhe anëtarët e Lëvizjes “Bashkë” kërkuan që përfaqësuesit e “Shqipëria Bëhet” të largoheshin, duke mos lejuar as Adriatik Lapajn të fliste, pasi sipas tyre, kishin marrë leje për protestën.
Kjo situatë e turpshme pa asnjë lidhje me protestën bëri që dy grupimet të ndaheshin sërish dhe Lëvizja “Bashkë” të protestonte nga njëri i krah i ministrisë, ndërsa “Shqipëria Bëhet” nga krahu tjetër.
Në fund të protestës, Arlind Qori paralajmëroi se demonstrata e nisur do të vazhdojë çdo ditë, në orën 17:00, përpara Ministrisë së Brendshme, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.