Kalimi me makinë në aksin rrugor Thumanë-Kashar, nga nesër do të jetë me pagesë. Më herët, ishte kompania koncensionare ‘G2Infra’, ajo e cila njoftoi se nga data 4 janar 2025 do të niste aplikimi i pagesës në segmentin e ndërtuar së fundmi.

Tarifa nis nga 2.1 euro pa TVSH dhe 2.52 euro me TVSH.

Rruga ka probleme pasi në disa segmente mund të dalësh nga rruga për shkak të ulje-ngritjeve si edhe devijimeve të asfaltit.

Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit dhe do të ndryshojë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Kontrata parashikon rrumbullakosje të çmimit kur është me presje dhjetore. Nga ana tjetër teksa monedha vendase është leku, pagesa në lekë do të bëhet në bazë të një kursi që do të përcaktohet në kontratë, i afërt me kursin e tregut.

Deri më tani qarkullimi për mjetet ka qenë pa pagesë, pasi kompania kreu testimet e nevojshme, me qëllim shmangien e krijimit të radhëve dhe fluksin në kabinat e pagesave. Kështu, pas kryerjes së testimeve, aksi do të rikthehet me pagesë për të gjithëa.

Ky aks rrugor është pjesë e korridorit Adritiko-Jonian. Gjatë muajit dhjetor qeveria miratoi tre kontrata koncesionare që janë pjesë e këtij korridori. Konkretisht, Milot –Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj –Fier. Miratim i tyre i hap rrugë lidhjes së kontratës dhe nisjen e punimeve gjatë këtij viti. Paralelisht me projektet për korridorin Adriatik –Jonian, me financime të buxhetit të shtetit, këtë vit një vëmendje të shtuar financimi ka edhe korridori i VIII, ku zgjerimi i Elbasan-Qaf-Thanë dhe ndërtimi i Bypassit të Elbasanit janë në fokus të punimeve nga Autoritetit Rrugorë.