Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka bërë një denoncim të rëndë. Bushati deklaroi se kompania e telefonisë celuare ONE u përdor si kamzhik për të goditur mediat kritike nga vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.
“Vëllai i Veliajt kontrollon 90% të reklamës që shpërndahet në tregun mediatik. Përshembull unë kam patur reklamë nga ish AMC, ka ardhur vëllai i Veliajt dhe e ka hequr. Ajo që heton SPAK, mos ka rrjedhur ndonjë lek korrupsioni kriminal është, por jo dëshmia e një shteti kriminal që ka kapur mbarë sistemin mediatik. Nuk do të shkoja te llogaritë në Bullgari të vëllait të Veliajt, por te zyrat e ONE. Të kontrollosh mediat përmes reklamës, është të përmbysësh një regjim shoqëror dhe politik“, tha Bushati.
Disa nga kompanitë më të mëdha në vend si ONE, banka OTP, por edhe të tjera i kalojnë shpenzimet për reklamat përmes kompanisë Gogel, që është në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës.
Në rastin e ONE, dyshimet janë edhe për një konflikt të mundshëm interesi, pasi kompania ka përfituar tendera publikë nga bashkia e Tiranës, sipas një skemë trekendësh.