Duhet të mendohesh dy herë para se të marrësh një taksi, pasi mund të grabitesh nga drejtuesi i mjetit. Ndryshe nga më herët kur shoferët e taksive binin pre e grabitjeve nga klientët një rast i pazakontë është regjistruar në Tiranë. Një taksist 26-vjeçar u zbulua nga policia se kishte vjedhur klientin që e kishte marrë për ta dërguar në destinacion.

Andrea Papa, mëngjesin e të shtunës devijoi itinerarin me justifikimin se po ndiqte rrugën më të shkurtër, por e dërgoi klientin në një rrugë të pabanuar në zonën e Farkës. Pasi ka ndaluar mjetin, sipas policisë taksisti Papa i ka marrë me dhunë paratë që klienti 20-vjeçar kishte me vete dhe dy celularët. Taksisti më pas ka zbritur klientin që e vodhi dhe është larguar me mjetin e tij.  Ka qenë vetë i dëmtuari që ka kallëzuar rastin pranë komisariatit nr.1, të cilët më pas vunë në pranga taksistin 26-vjeçar. Ai tashmë akuzohet për vjedhje me dhunë.

Ky nuk është rasti i parë, që drejtuesit e mjeteve taksi, të cilët punojnë privat, por edhe për kompani, përfshihen në veprimtari të paligjshme. Pak ditë më parë në operacionin e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës për goditjen e grupit kriminal të trafikut të armëve, u zbulua se një prej të arrestuarve përdorte mjetin e tij taksi për këtë veprimtari të paligjshme.

Një tjetër rast i tillë është zbuluar më herët gjatë vitit edhe në Pogradec, ku një taksist tentoi të trafikonte armë dhe kanabis drejt Maqedonisë së Veriut. Në kryeqytet punonjës të këtij sektori janë zbuluar nga policia të përfshirë edhe në veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit. /gazetajone