Policia ka gjetur një makinë të djegur në zonën e Mallakastrës, e cila dyshohet se u përket autorëve të masakrës së Memaliajt, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Në këtë zonë po bëhen edhe kërkime për gjetjen e autorëve, të cilët ekzekutuan me armë tre persona dhe lanë të plagosur një tjetër .

Objektivi i sulmit me armë zjarri në një lokal në Memaliaj rreth orës 11.20 të mbrëmjes së djeshme ishte biznesmeni 74 vjeçar Shyqo Kalemi por viktima të të shtënave me automatik ngelën edhe dy persona të tjerë Gledio Muka dhe Marsel Çela, kamarieri dhe një klient i lokalit 36 vjeç dhe 47 vjeç.

Një person i katërt Artur Kalem 57 vjeçi që gjendej gjithashtu në vendngjarje ka marrë plagë të rënda dhe gjendet në spitalin e Gjirokastrës në reanimacion. Atentatorët që besohet se kanë mbërritur dhe janë larguar me automjet qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të objektivit, Shyqo Kalemi brenda një lokali pranë bashkisë së Memaliajt, pavarësisht se përreth tij ka pasur disa persona të tjerë.

Dyshohet që vrasja të ketë qenë një hakmarrje ndaj Andrea Kalemit, djalit të viktimës Shyqo Kalemi i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022 që më parë gjatë 2022 dyshohet se kishte eleminuar me eksploziv Aleksandër Sadikaj kushëri i vëlletërve Kalemi, gjithashtu biznesmen në Memaliaj.

Policia është vënë në ndjekje të autorëve që besohet se janë identifikuar. Sipas njoftimit zyrtar në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.

Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjej automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.

Policia gjithashtu ka ngritur postbllokë kontrollesh në të gjitha akset që mund të përdoreshin prej autorëve për tu larguar në bashkëpunim edhe me drejtoritë e policisë së qarqeve, Fier, Vlorë dhe Berat.