Një ngjarje e rëndë është shënuar në Santorini në Greqi, ku një bandë bullgarësh kanë grabitur një 63-vjeçare me origjinë shqiptare, banore e përhershme në ishull.

Gjithçka nisi të premten e kaluar, kur 63-vjeçarja mori një telefonatë nga një grua e panjohur e cila i ishte prezantuar si punonjëse policie dhe i kërkoi një shumë të madhe parash, dyshohet për të shmangur pasojat ligjore për djalin e saj që shkaktoi një aksident automobilistik ku ka plagosur rëndë një fëmijë të mitur.

Gruaja ndoqi udhëzimet e saj dhe i vendosi paratë në një kosh plehrash që tregoi. Megjithatë, mashtrimi u zbulua dhe nisi një hetim që rezultoi në çmontimin e grupit, raportojnë mediat greke.

Policia e Thira-s ka shfrytëzuar pamjet që kanë siguruar nga kamerat e zonës, kanë identifikuar mashtruesit e huaj, mes të cilëve dy gra dhe shumë shpejt janë vënë në ndjekje të tyre duke i vënë në pranga. Atyre iu gjetën 98 mijë e 500 euro që i atribuohen 63-vjeçares.

4 bullgarët u dërguan në Prokurorinë e Naxosit me dosjen e ngritur ndaj tyre për organizim kriminal dhe mashtrim në bashkëpunim.