Fitorja e Donald Trump si President i 47 i SHBA konsiderohet historike e rëndësishme. Kjo edhe për shkak të diferencës së thellë të votave elektorale që mori karshi rivales së tij Kamala Harris. Emisioni “Opinion” është zhvendosur në SHBA ku ndoqi nga afër procesin e votimit dhe reagimet pas daljes së rezultateve.

Për t’ju përgjigjur pyetjes se çfarë personazhi është Donald Trump, strategjistri Dritan Nesho e ka treguar përmes një historie. Ai ka rrëfyer se si Donald Trump negocioi me talebanët tërheqjen nga Afganistani të ushtrisë amerikane. Dhe sipas tij, këtë e bëri përmes një kërcënimi të hapur në një takim zyrtar, duke përcjellë qartësisht mesazhin e tij.

Blendi Fevziu: Çfarë personazhi është Trump? Si do ma përkufizosh?

Dritan Nesho: Do t’i them publikut të Opinionit një histori. Trumpi kur ka negociuar me talebanët. Vete i thërret në Katar, në Doha, dhe ju thotë ne do tërhiqemi nga Afganistani por me termat tona. Dhe në qoftë se ju nuk përmbushni termat tona, e hap xhepin e xhaketës dhe i jep liderit të talebanëve një fotografi të shtëpisë së tij sekrete. Edhe i thotë, unë e di ku jeton ti dhe unë do të të vras. Kjo është takim zyrtar! Do të dërgoj raketë. Dhe e përshkruajnë zyrtarë të lartë në kohën e Trumpit, që nuk dinin se si ta regjistronin në procesverbalet e takimit. Është i paparashikueshëm. Dhe pastaj për ta kopsitur, siç e thotë edhe Byron Donalds kongresmeni amerikan që ishte në atë takim, i thotë atij ‘e ke bërë shumë të bukur shtëpinë, më pëlqen arkitektura’. E përcjell mesazhin në termat e tij. Kjo është shumë e rëndësishme në politikën e jashtme, sepse edhe fuqia amerikane nuk ballafaqon dot test nga Kina, Irani, Rusia.