Vera ka ardhur dhe ditët e plazhit duhen shijuar sa më shumë, edhe në rastet kur kemi fëmijë.
Disa prindër të rinj mund të kenë dyshime nëse mund të shkojnë apo jo në plazh me të vegjlit e tyre, por në rast se ndiqen rregullat e nevojshme plazhi mund të sjellë shumë përfitime për bebet apo fëmijët.
Së pari duhet të sqarojmë se mosha e duhur për ta çuar fëmijën në plazh, mund të jetë që në javët e para pas lindjes, mjafton të merrni masat e duhura.
Duke theksuar faktin se lëkura e fëmijës është tepër e ndjeshme nuk duhet të lejoni që fëmija të ekspozohet direkt në diell. Foshnjën duhet ta vendosni në karrocën e tij, ku të keni vendosur edhe një rrjetë kundër mushkonjave (nëse ka) apo insekteve të tjera. Karroca duhet të vendoset në hije.
Është absolutisht jo e këshillueshme të shkoni në plazh me beben gjatë orëve më të nxehta, qoftë edhe për të qëndruar në hije pasi trupi i tij ende nuk është në gjendje të rregullojë temperaturën e brendshme siç duhet.
Kjo është po aq e vlefshme edhe për fëmijët më të rritur. Duhet të keni parasysh që në plazh të shkoni ose shumë herët, ose shumë vonë, në mënyrë që të shmangni orët e pikut të vapës kur rrezet UV janë shumë të forta.
Këshilla të tjera të vlefshme janë:
Këshillohet që të aplikohet kremi në trupin e fëmijës, totalisht të zhveshur, që në shtëpi dhe të prisni sa të thahet për ta veshur fëmijën.
Përdorni telefonin për të vendosur një kohëmatës, i cili do t’ju kujtojë që të riaplikoni krem në lëkurën e fëmijës.
Krijoni “oazin” tuaj, një ambient nën hije, merrni dy çadra nëse është e nevojshme.
Merrni këpucë, ose sandale të përshtatshme për fëmijën në plazh, në mënyrë që ato të mos mbajnë rërë, të mos e mbajnë nxehtë, por edhe të mos lejojnë që këmbët e tij të vockla të ndiejnë nxehtësinë e madhe të rërës.
Paketoni ushqimet në racione të vogla, të ndara, dhe jo të vendosura në një enë të madhe, pasi fëmija mund t’ju kërkojë disa herë.
Merrni ushqim me vete dyfish nga sa ju nevojitet. Kjo pasi disa fëmija kanë më shumë uri se zakonisht në plazh, dhe në rastet kur kjo nuk ndodh mund të ndodhë që ushqimi të prishet për shkak të rërës, apo kushteve.
Hidratoni fëmijën tuaj dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ai mund të harrojë që të pijë ujë apo lëngje dhe ju duhet ta kujtoni. Për t’ia bërë më të lehtë, merrni një shishe të bukur nga jashtë.
Përdorni teknika nxitëse. Për shembull në rast se ju doni që fëmija të vendosë krem apo kapelë dhe ai nuk e bën, premtojini se do të shkoni të blini akullore dhe bëjeni këtë.
Jini selektivë me lodrat e plazhit. Një kovë dhe një lopatë janë mëse të mjaftueshme.
Mund të merrni një pishinë të vockël për fëmijë, që mbushet me ujë. Kështu mund ta vendosni pishinën në hije dhe fëmija të mos qëndrojë shumë në diell.
Mos shpresoni se fëmijën tuaj do ta zerë gjumi në plazh. Kjo ndodh rrallë dhe përgjithësisht duhet të mbështeteni në aktivitete të tjera dhe jo tek idea se ai do të flejë.
Merrni përralla dhe lexojani me zë të lartë, kur fëmija është duke ngrënë apo duke ndenjur nën çadër.
Zgjidhni plazhe ku keni mundësi për aktivitete të tjera, si psh, të shkoni në një restorant, bar, udhëtime me varkë, biçikleta etj.
Disa ushqime që mund të konsumojnë fëmijët në plazh
Një nga ushqimet më të këshilluara për fëmijët në stinën e verës është shalqiri. Pas notit ose pas lojërave në rërë, shalqiri i ndihmon fëmijët të rifitojnë mineralet e humbura. Nëse u jepni fëmijëve shalqi në mëngjes ose pasdite i ndihmoni ata të kenë oreks më shumë për drekën dhe për darkën. Për fëmijët e moshës 3 deri në 6 vjeç, idealja është konsumimi i frutave duke i prerë në copa te vogla.
Nga 6 deri në 12 vjeç ekspertët rekomandojnë për fëmijët një sanduiç me domate dhe sallatë. Gjithashtu edhe ftuta të thata si për shembull fistiqe. Në përmbajtje të tyre ka proteina, vitamina dhe minerale. Nëse fëmija dëshiron diçka të freskët, ju mund të zgjidhni arrën e kokosit. Shmangni patatet e skuqura apo ushqimet e tjera të gatshme.
Nëse ndiqni këto rregulla ditët e plazhit do të jenë ndër më të bukurat sidomos për fëmijën tuaj. Në këtë mënyrë ai do të marrë rrezet e nevojshme të diellit, do të eksplorojë natyrën dhe do të lidhet më shumë me të si dhe do të ndihet më i qetë.