Kaq u bë me dije publikisht nga ana e FFK-së dhe nuk dha detaje shtesë për përjastimin e Zhegrovës, Muslijes dhe Muriçit. Ishin tifozët dhe mediat, ato që zbuluan më shumë detaje. Ka raportime se të tre pas humbjes me Rumaninë u panë në një klub nate në kryeqytet. Madje u pretenduan se një prej tyre, tentoi që të fuste edhe vajza në hotelin ku është akomoduar skuadra e “Dardanëve”. Sjellje kjo rreptësisht e ndaluar.
FUTBOLLISTËT NË CLUB:
Një ditë para ndeshjes me Qipron, në konferencë për shtyp doli trajneri Franco Foda dhe kapiteni Amir Rrahmani, por asnjë prej tyre nuk foli për rastin. Megjithatë kjo nuk do të thotë që edhe të tjerët kanë heshtur. Përkundrazi!
REAGIMET
Edon Zhegrova
Vetë Edon Zhegrova ka reaguar pasi FFK-ja e largoi nga grumbullimi, duke i cilësuar “lajme të pavërteta” raportimet e mediave rreth asaj se çfarë qëndron prapa vendimit të FFK-së.
“Këto lajme janë të pavërteta dhe pa fakte. Do të flas në fushë së shpejti,”- ka shkruar sulmuesi 25-vjeçar në rrjetin “Instagram” të dielën, por nuk është ndalur me kaq. Edon Zhegrova ka fshirë foton për Kosovën, ku ai thoshte se do të ktheheshin më të fortë pas humbjes me Rumaninë. Po ashtu, i ka bërë edhe “unfollow” faqes zyrtare të FFK-së.
Historia e përplasjeve të Edon Zhegrovës me FFK-në, pas vendosjes së Agim Ademit në krye të FFK-së është e gjatë. Më 12 shtator 2023, Zhegrova deklaronte se duhet të kishte disa ndryshime të brendshme.
“Duhet të ndryshojmë disa gjëra të brendshme. Nuk do të doja të flas më shumë. Le të flas dikush që është më i vjetër, kapiteni apo ndokush tjetër,”- deklaronte ai. Por nuk i qëndroi duke shtuar se e kishte fjalën vetëm për atë që ndodhte në fushën e blertë duke nxitur kështu pretendimet se i ishte bërë presion nga FFK-ja për ta tërhequr deklaratën.
Deklaratat e tij të ashpra u rikthyen në nëntor të vitit 2023. Zhegrova deklaroi se ishte penguar për të luajtur me Kombëtaren për shkak të thashethemeve që po përhapnin kundër tij. Por nuk përmendi emra!
“Te dashur tifoz ditet e fundit erdha ne pikpytje te luaj apo te mos luaj nga njerz te kombetares qe ata vendosin per fatin e Kosovës ne forma individuale dhe asnjeher zyrtare. T ‘ua them te verteten shum her isha penges e disa personave ne kombetare dhe thashethemet ishin drejtuar kundrejt meje por nuk kam folur vetem te mos e prishi harmonin e kombetares sepse me ne fund rendesi ka kombetarja dhe rezultatet e jo intrigat dhe thashethemet e njerzve amator kundrejt meje,“- shkruante ai.
Arijanet Muriç
Edhe portieri Muriç i ka mohuar akuzat se kishte dalë për t’u argëtuar në klube të natës. Ky i fundit ka qenë i pezulluar edhe më parë nga FFK-ja, pasi kishte pretendimet se kishte shkuar i dehur në stërvitje.
“Mendoj se është vendim egoist i FFK, vijmë këtu të luajmë për shtetin. Ne e kemi një ekip të sigurisë që na ndjek 24/7, por janë ata që i publikojnë këto, për të mbuluar keqmenaxhimin e tyre. Ne shkuam atje për ushqim dhe jo për aheng,”- tha ai gjatë një interviste në Klan Kosova.
Ndryshe nga Zhegrova dhe Muriç, Florent Muslija ka zgjedhur që të heshtë dhe të mos japë asnjë koment për situatën e krijuar.
Gojën e mbyllur kanë vendosur që të mos e mbajnë edhe personazhë të tjerë. Kryetari i grupit të tifozëve të Kombëtarës së Kosovës, “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka reaguar ashpër pas skandalit në ekipin kombëtar të Kosovës.
“Kosova është më e madhe se të gjithë ne,”– ka shkruar ai.
Ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka zgjedhur që të mbështesë publikisht Zhegrovën por edhe dy të tjerët.
“Kokën lartë djalë! Në vargun e gjatë të dështimeve të futbollit kosovar, je shpresë që në fund Kosova ka me ja dalë!,”- shkroi Abdixhiku në Facebook.
Por pavarësisht qëndrimeve pro dhe kundër, vendimi duket se është final. Këtë e ka treguar edhe videoja ku futbollistët e Kombëtares së Kosovës nisen për në Qipro, ku sonte do të luajnë ndeshjen e dytë, të vlefshme për Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.