Gati një javë pas skandalit me transportin e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit, publikimeve vetëm nga media ndërkombëtare dhe disa pak portaleve në Shqipëri ka reaguar më në fund Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Çuditërisht reagimi i Ministrisë së Mjedisit është publikuar në seri nga mediat kombëtare dhe lokale, pikërisht të njëjtat që për ditë me radhë nuk shkruajtën asnjë fjalë për skandalin e mbetjeve toksike nisur nga Porti i Durrësit me destinacion Tajlandën. Por kjo duket e keqja më e vogël nëse ndër rreshtat e deklaratës nuk lexon asgjë më shumë se “larjen e duarve” të Ministrisë që ja le në derë metalurgjikut të Elbasanit.
“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës”.
Kompania ndërkomëbtare që përmend me gjysëm zëri Ministria e Mjedisit është kompani me emër dhe e licencuar nga shteti shqiptar. I cili ka për detyrë të monitorojë mbetjet e fabrikave. Sikundër Ministria e Mjedisit ka për dëtyrë të monitorojë aktivitetin e kompanive të transportit të mbetjeve toksike, licencën për të cilat e jep ajo.
Sikundër ky skandal nuk është përgjegjësi vetëm e një ministrie apo e një nëpunësi. Zinxhiri i përgjegjësive është i gjatë dhe të gjitha hallkat duhet të mbajnë përgjegjësi. Ndoshta herët a vonë Prokuroria e Durrësit do të dalë në përfundimet e duhura dhe të sakta. Dhe që mund të zbardhin ngjarjen siç duhet.