Në maj të këtij viti Parlamenti miratoi korpusin e ligjeve për rritjen e pagave në sektorin publik. Ligji, i cili duhet të miratohej më parë, por u shty për shkak të rebelimit të deputëtëve, i shtrinte efektet nga 1 prilli dhe nëpunësit e shtetit do të merrnin rrogat e rritura menjëherë në qershor.
Por në datën 1 qershor ministrja e financave, Delina Ibrahimaj doli me urgjencë në një konferencë për mediat, ku deklaroi se shtesat e pagave do të hidheshin në llogaritë e punonjësve të administratës në rrogat e korrikut, pasi ministria nuk arriti të zbardhë dot në kohë vendimet e qeverisë.
Në media u shpërnda me djallëzi një lajm sikur ishin llogaritur gabim koefiçentët në disa nga kategoritë e pagave, ndaj duheshin korrigjuar. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Pagat u bllokuan për patronazhistët. Sepse një krah i qeverisë kërkonte rritje më të madhe rrogash për stafet politike.
Vendimet e zbardhura të qeverisë për rritjen e pagave u botuan të zbardhura në fletoren zyrtare vetëm një javë më parë. Dhe ato janë prova më e fortë se reforma e pagave përfundoi në një qokë për stafet politike.
Shpërblim për patronazhistët
Në vendimet e reja, stafet politike janë rritur me një klasë në hierarkinë e pagave. Fjala vjen, këshilltarët e ministrave, të cilët deri dje bënin pjesë në klasën II-B dhe paguheshin ne rangun e drejtorit të drejtorisë, me ligjin e ri ngjiten në klasën I-4 dhe paguhen në rangun e drejtorit të përgjithshëm.
Vetëm nga ngjitja në klasën e pagave, paga bazë e këshilltarëve të ministrave rritet nga 100 mijë lekë në muaj që ishte, në 180 mijë lekë në muaj. Këshilltarët e ministrave janë vetëm njëra nga kategoritë. Të gjitha stafet politike, këshilltarë në kryeministri, Kuvend, Bashki, prefektura, që përbëjnë pjesën më militante të sektorit publik janë rritur me nga një klasë në hierarkinë e pagave dhe marrin rritjen më të madhe të rrogave. Shumë më tepër nga specialistët, mjekët, mësuesit dhe teknikët e administratës, ata që bëjnë realisht punën e shtetit.
Përveç rritjeve në klasa për stafet politike, sisemi është denatyruar edhe përmes futjes së bonuseve jashtë kategorive për institucione apo vende specifike pune. Me pak fjalë, një denatyrim total i hierarkisë shtetërore të pagave, reforma e të cilave përfundoi një qokë për militantët dhe patronazhistët.
Barrë e rëndë për buxhetin
Përdhunimi i hierarkisë së pagave për të shpërblyer militantët partiakë ka një kosto jo të vogël për qytetarët. Kur miratoi ligjet për rritjen e pagave në maj, qeveria pati deklaruar se fatura e tyre ishte 9 miliardë lekë për periudhën nga 1 prilli deri në 31 dhjetor 2023.
Por me përmbysjen që iu bë koefiçentëve më pas për të bërë qoka politike apo nepotike me paratë e buxhetit, fatura është rritur në 11 miliardë lekë. Pra 20 milionë dollarë për 8 muaj ose 30 milionë dollarë për gjithë vitin, është haraçi që qytetarët do paguajnë për patronazhistët Rilindas të emëruar si stafe politike nëpër institucionet e shtetit.
E gjithë rritja e pagave e bërë deri më tani ka një faturë totale prej 11 miiliardë lekësh për 8 muaj,t nga prilli deri në dhjetor. Ndërsa fatura vjetore është 16.5 miliardë lekë ose 155 milionë euro.
Qeveria është angazhuar edhe për një tjetër rritje masive të pagave në sektorin publik gjatë vitit tjetër që e çon faturën vjetore në mbi 40 miliardë lekë. Përballë kësaj rritje të ndjeshme të barrës, që qytetarët paguajnë për të mbajtur administratën bashkë me militantët e Partisë, tani qeveria po kërkon rrugë të reja për të ardhura. Dhe, përveç rritjes tashmë të sigurtë të taksës së pronës, disa nga masat e tjera që po shqyrtohen janë vendosja e tvsh-së në arsim dhe shëndetësi. /oligarkia