
Gazetarja e njohur Anila Hoxha ka reaguar me ironi në lidhje me skandalin e aksidentit të shkaktuar nga Martin Mane, djali i biznesmenit të njohur Samir Mane.
Në një status në Facebook, Hoxha u tall me pretendimin e përdorur nga Martin Mane për t’iu shmangur testit të alkoolit, duke deklaruar se ishte alergjik.
“Do i kthehem prapë rakisë – më tha kushëriri vlonjat. Ngaqë kishte lexuar se nëse deklaronte ‘Jam alergjik’, policia nuk do ja bënte dot testin e alkoolit dhe prokuroria do ta shpallte arrestimin e tij të paligjshëm madje pa vajtur fare në gjykatë. Ke ndërruar gjë babën – e pyeta – se ai që ke në letra s’të ndihmon dot,” shkroi Hoxha.
Ky reagim ironik vjen pas raportimeve se djali i biznesmenit të fuqishëm refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit duke përdorur një justifikim të pazakontë, i cili ngriti dyshime mbi trajtimin e çështjes nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, me akuzat për trajtim të privilegjuar ndaj të pasurve dhe ndikim mbi institucionet e drejtësisë. Komenti i Hoxhës reflekton pakënaqësinë dhe talljen që shumë qytetarë ndajnë ndaj rasteve të tilla, ku individë të fuqishëm duket se shmangin përgjegjësinë ligjore./gazetajonë