Anija me flamur turk që ka sjell në brigjet e Durrësit 102 kontejnerët e dyshuar me “mbetje të rrezikshme”, ndodhet ende në radë dhe asnjë pjesë e ngarkesës nuk është shkarkuar për t’u vënë nën sekuestro sipas vendimit të Prokurorisë.

“Moliva” ka sjell ngarkesën e dyshuar me lëndë të rrezikshme që ishte nisur për në Tajlandë por u kthye prapa, pas një alarmi të dhënë nga organizatat ndërkombëtare.

Mirëpo, prej mëngjesit të ditës së hënë, datë 28 Tetor anija me flamur turk ndodhet në radën e Portit të Durrësit dhe nuk është ankoruar për të shkarkuar ngarkesën prej 102 kontejnerësh.

Kryeprokurorja Suela Beluli dhe kolegia e saj Mediana Meta kanë urdhëruar vënien nën sekuestro.

Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë dhe jemi në ditën e tretë të mbërritjes së anijes “Moliva” në brigjet përballë Durrësit, kontejnerët nuk janë shkarkuar dhe urdhri nuk po zbatohet nga autoritetet përgjegjëse, si Autoriteti Portual Durrës, Drejtoria e Policisë, etj.

“Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre”, thotë shkresa.

Por deri tani ndaj anijes me flamur turk nuk është ndërmarrë asnjë masë, qoftë për shkarkimin e ngarkesës dhe qoftë për sekuestrimin e 102 kontejnerëve në zbatim të vendimit të organit të akuzës.

Në këto kushte, egziston rreziku për zhdukjen e provave, largimin e “Molivas” ose mbytjen e saj.

Kryeprokurorja Suela Beluli, gjithashtu u ka kërkuar drejtuesve të tetë institucioneve respektive që të firmosin procesverbalin e sekuestrimit të 102 kontejnerëve të dyshuar me mbetje të rrezikshme, si dhe të përshkruajnë me detaje veprimet dhe sendet e sekuestruara.