Policia e Shtetit e kërkonte kudo, por Olsi Ibro ishte në Tiranë. Sot, nuk dihet ende se kur, ai vendosi që të vetëflikohej duke u hedhur nga një pallat në ndërtim.

Sipas të dhënave që bën me dije paraprakisht Policia e Shtetit, Ibro është vetëhedhur nga pallati dhe ka ndërruar jetë në vend si pasojë e dëmtimeve të marra. Po ashtu, Policia bën me dije se grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, G.J ka siguruar fotot e pallatit në ndërtim e sipër në rrugën “Ramazan Shijaku”, nga ku u vetëhodh Olsi Ibro, i përfshirë në skandalin e mikrokredive.

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Vetëvrasja e Ibros vjen një ditë pas sekuestrimit të dy shoqërive “Micro Credit Albania” dhe “Final” nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Ibro ka qenë drejtues i studios ligjore “ADCA”, e cila ka qenë gjithashtu pjesë e skemës së mashtrimit. Pjesë e grupit ishte dhe bashkëshortja e Olsit, Elda, e cila mbante rolin e administratores së “Micro Credit Albania”. Për aktivitetin e saj në këtë skemë mashtrimi, ajo ishte lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa i ndjeri ishte shpallur në kërkim. Deri më sot, mendohej se ai nuk ndodhej në Shqipëri, ndaj edhe nuk kishte dalë para drejtësisë, por duket se vërteta ka qenë ndryshe.