Rruga e re Thumanë-Kashar, e cila është një prej më të kushtueshmeve që është ndërtuar ndonjëherë në vendin tonë, nga kompania Gener 2, ka rezultuar me një sërë problematikash, një javë pas inagurimit të saj. Nëse gjatë ditës së djeshme, qytetarët u përballën me një trafik të pazakontë, të shkaktuar dhe nga vendosja e sporteleve për pagesën, një tjetër shqetësim është ngritur nga gazetari Mentor Kikia.

Ai thotë se për njerëzit që vijnë nga veriu i vendit për në Tiranë, është bërë i pamundur aksesimi i rrugës dytësore, çka do të thotë se ata janë të detyruar që të kalojnë në aksin me pagesë. Pagesë e cila gjatë ditës së djeshme, rezultoi të ishte 270 lekë për mjetet e vogla, 650 për autobusët, dhe 900 lekë për mjetet e tonazhit të rëndë. Analisti ngre pikëpyetjen se si mund të ketë akses një kompani private të vendosë për të nxjerrë rrugët dytësore nga përdorimi, për interesat e veta?

Kushti që një aks rrugor të bëhet me pagesë, është që qytetarët të kenë mundësi kalimi alternative, gjë që iu është mohuar mijëra qyetarëve që do të përshkruajnë këtë rrugë, ndoshta edhe disa herë në ditë, për shkak të distancës së shkurtër që ajo ka, dhe lidhjes ndërmjet qyteteve. Veçanërisht Tiranës dhe Durrësit ku është i përqëndruar dhe aktiviteti më i madh ekonomik i vendit.

POSTIMI I PLOTË I GAZETARIT:

Rruga e re me pagesë, nxirret jashtë përdorimit rruga dytësore. Rruga e re Thumanë – Kashar është (apo duhej të ishte) një çlirim për trafikun në aksin Tiranë- Lezhë. Ata që e kanë shfrytëzuar këtë rrugë qoftë edhe një herë të vetme në sezonin veror e dinë çfarë do të thotë.

Por hapja e rrugës së re, me pagesë, është shoqëruar me një veprim absurd, me mbylljen e rrugës së vjetër. Për të hyrë në Tiranë, kur vjen nga Veriu, nuk ka mundësi ta shmangësh rrugën e re me pagesë. Duhet të kalosh aty patjetër. Por, edhe në sensin Fushë Krujë – Lezhë, sërish nuk futesh dot në autostradë, do të duhet të bredhësh nëpër arat me jonxhë të Thumanës(pasi në atë që quhet rrugë e fshatit vetëm traktorët mund të kalojnë).

Pamundësi inxhinierike apo detyrim që të gjithë, pavarësisht se ku shkojnë e nga vijnë, të kalojnë nëpër rrugën ku duhet të paguajnë afërsisht 3000 lekë të vjetra për çdo kalim?

Si mund të ketë akses një kompani private të vendosë për të nxjerrë rrugët dytësore nga përdorimi, për interesat e veta?

Nxjerrja e rrugës ekzistuese jashtë përdorimit e ka futur në kolaps rrugën e re. Radhë kilometrike janë shënuar në fundjavë, e madje edhe sot, të hënën, për shkak të procesit të pagesës. Nëse do të ishte alternativa e rrugës së vjetër, trafiku mund të ndahej dhe njerëzit nuk do të detyrohen të qëndrojnë me orë të tëra në diell, e të piqen në asfalt.

Projekti Thumanë-Kashar ka një kosto të parashikuar ndërtimi prej 225.8 milionë eurosh për 21 km. Në fund të 35 viteve është parashikuar që koncesionari të përfitojë rreth 1.3 miliardë euro pa TVSH. Gjithashtu në kontratën e bërë publike shteti vendos edhe 22.8 milion euro garanci për 8 vite nëse privati nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.

Mbrëmjen e djeshme Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.

“Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.

Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.