SKANDALI/ Pas burgut për mashtrim me ilaçet, oligarku Nadir Çausholli i “CFO Pharma” merr linjën e Unazës në Tiranë
Bizmesneni me shumë hije dhe dënime me burg për mashtrime, Nadir Çausholli, rikthehet sërish në vëmendjen e shqiptarëve, tashmë si pronar autobusësh të pretenduar si elektrikë.
Ai u shfaq në krah të Erion Velisë dhe Belinda Ballukut gjatë ditës së mërkurë në Tiranë ku dy rivalët e prezantuan atë që e quajtën “flotën e gjelbër” të kryeqytetit, të cilët në fakt nuk janë gjë tjetër veç se disa autobusë me naftë, me një bateri të integruar dhe që rrallë e përdorin këtë të fundit duke ndotur si traktorë kryeqytetin.
Megjithatë, nuk është mashtrimi me gjoja autobusët e gjelbër të blerë për “5 lekë” nga Kina, për të cilin do të flasim sot, por “hija” Nadir Çausholli.
Siç mëson “Gazeta Jonë”, pasi u hoqi licencën kompanisë që menaxhonte linjën e “Unazës”, Bashkia e Tiranës ka gjetur çuditërisht Nadir Çaushollin si pronarin e ri të kompanisë së transportit që do t’u ofrojë çdo ditë mijëra qytetarëve të Tiranës shërbimin e transportit urban me autobusët e lyer me ngjyrë të gjelbër, por që nxjerrin blozë nga motorët e tyre tejet të plakur.
Në foton e mësipërme shihet edhe vetë Çausholli, tashmë i kënaqur për shërbimin më të ri që i bëhet pasi bëri miliona përmes mashtrimit me paratë publike dhe shëndetin e qytetarëve.
Kush është Nadir Çausholli
Nadir Çausholli është një personazh tepër i njohur për prokurorinë dhe policinë për shkak se i viziton shpesh zyrat e tyre sepse rezulton i paditur dhe dënuar për mashtrime.
Emri i tij bëri bujë në vitin 2015 ku pas një hetimi disa mujor prokuroria zbuloi skandalin e mashtrimit me recetat false për barnat e rimbursueshëm, specifikisht për ilaçin “ketosteril”, përmes të cilit iu zhvatën shtetin shqiptar 2 milion euro.
Në qendër të mashtrimit ishte kompania “Omega Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit.
Në fillim të vitit 2016, gjykata e gjeti fajtor Çaushollin për veprat penale “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh” duke i dhënë 5 burg. Por, për shkak se ai pranoi gjykimin e shkurtuar duke pranuar rrjedhimisht edhe mashtrimin e kryer, gjykata i uli 1/3 të dënimit, i cili më pas u konvertua në shërbim prove.
Çausholli doli nga qelia në tetor të vitit 2016 dhe tashmë me “lëkurë” të re, duke i ndërruar emrin kompanisë nga “Omega Pharma” në “CFO Pharma” vijoi të kishte marrëveshje me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor duke përfituar miliona nga paratë e shqiptarëve edhe pse gjykata më herët ia kishte hequr të drejtën kompanisë “Omega Pharma” për të realizuar marrëveshje të tilla.
Si u zbulua skandali prej 2 milionë eurosh?
Gjatë analizës në Drejtorinë e Informatikës dhe Analizës Statistikore (D.I.A.S) pranë FSDKSH-së për muajt prill-shtator 2015 është konstatuar rritje e nivelit të konsumimit të barit me emërtim tregtar “Ketosteril”. Nga të dhënat e DIAS lidhur me shitjen e këtij medikamenti janë identifikuar depot farmaceutike që e tregtonin atë, ku subjektet e vetme importues dhe distributor me të drejtën ekskluzive për tregtimin e tij janë “Rejsi Farma”.
Sipas FSDKSH-së, depoja farmaceutike “Omega Pharma” ka bërë hyrje fiktive të këtij medikamenti në magazinën e saj, pavarësisht se dy kompanitë që kishin ekskluzivitetin nuk raportonin për shtije të medikamentit.
Nga këqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se, këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor “Omega Pharma” për periudhën qershor 2013 – maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se, “Rejsi Farma” nuk ka bërë shitje të Ketosterilit tek “Omega Pharma” dhe se ky subjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti.
Nga këqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet Ketosteril dhe Insulina. Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar.
Përsa më sipër, u provua se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.
Gjykata ia ndaloi, Çausholli vijoi biznesin me shtetin
Pronari i Omega Pharma Group-kompania e ndaluar me vendim të Gjykatës së Tiranës që të tregtojë ilaçe të rimbursueshme për 3 vjet, ia ka dalë që të aktivizojë një kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vetëm pak muaj pas dënimit, pasi e transferoi kompaninë nën ombrellën e një marke të re.
“Omega Pharma Group”-kompania farmaceutike e dënuar nga Gjykata e Tiranës për mashtrim me skemën e ilaçeve të rimbursueshme i ka shpëtuar “listës së zezë” të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH dhe i është rikthyer biznesit me të, falë transformimit në një markë të re.
Të dhënat e siguruara nga mediat tregojnë se ish-pronari i Omega Pharma Group, Fatos Çausholli ka aktivizuar një kontratë me Fondin në vitin 2017 në cilësinë e administratorit të një kompanie të re të quajtur “CFO Pharma”-ndonëse zotëron si kapitalet ashtu edhe detyrimet e kompanisë së dënuar.
Çausholli mori administrimin dhe pronësinë e “Omega Pharma” pasi i biri, Nadir Çausholli u shpall fajtor dhe u dënua me 2.6 vjet burg të pezulluara me kusht për veprat penale të falsifikimit dhe mashtrimit me tregtinë e ilaçeve të rimbursueshme-aktivitet që sipas vendimit të Gjykatës ishte kryer në dëm të FSDKSH.
Në vendimin e korrikut 2016, Gjykata e Tiranës dënoi edhe kompaninë “Omega Pharma”, duke i hequr asaj të drejtën e tregtisë së barnave të rimbursueshme dhe të lidhjes së kontratës me FDSKSH për 3 vjet.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk e ka penguar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që t’i japë të drejtën e tregtisë së ilaçeve të rimbursueshme Çaushollit për vitin 2017-përmes kompanisë së re “CFO Pharma”.
BIRN i drejtoi Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor një kërkesë për koment mbi kriteret e zbatuara për lidhjen e kontratës me CFO Pharma të Çaushollit, e cila trashëgon kapitalet dhe detyrimet e “Omega Pharma Group”. Ndonëse premtuan se do të kryenin verifikime, zyrtarët e Fondit nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në botimin e këtij shkrimi.
BIRN i telefonoi gjithashtu numrit të shënuar në emrin e Fatos Çaushollit në databasen e FSDKSH- në të cilin u përgjigj djali i tij, Nadir Çausholli.
Çausholli-i cili ndodhet në proces në Gjykatën e Apelit të Tiranës pasi ka kundërshtuar vendimin e dënimit të shkallës së parë, i tha BIRN se akuza e ngritur kundër tij ishte “një sulm i stisur” dhe sqaroi se kontrata e firmosur me Fondin nuk i përket Omega Pharmës, por një kompanie tjetër farmaceutike, të quajtur AERD Pharma.
“Në dhjetor [2016] Fondit i janë dërguar dokumentet që ka ndryshuar emri dhe pronësia e kompanisë AERD Pharma si dhe dokumentet përkatëse, që tregojnë se as kompania dhe as pronari Fatos Çausholli nuk janë në ndjekje penale,” sqaroi Nadir Çausholli.
Dokumentet e siguruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se kompania farmaceutike AERD Pharma u ble në 100 për qind të aksioneve nga Fatos Çausholli më 17 tetor 2016-vetëm tre muaj pas vendimit të Gjykatës. Kontrata e blerjes mban vlerën e 18 milionë lekëve.
Me të blerë kompaninë-e cila kishte një kontratë aktive me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm-Çausholli i ndryshon asaj emrin në “CFO Pharma”.
Më 3 dhjetor 2016, CFO Pharma bëhet pronare e aksioneve dhe kapitaleve të “Omega Pharma Group” përmes një akti përthithjeje. Kapitalet e “Omega Pharma Group”, të cilat llogariten në 915 milionë lekë në momentin e transaksionit, i kalojnë “CFO Pharma”.
Marrëveshja e përthitjes-një kopje e të cilës disponohet nga BIRN thekson se “të drejtat dhe detyrimet e Omega Pharma Group i kalojnë kompanisë CFO Pharma”.
“Në përfundim të këtij procesi, Omega Pharma Group” do të prishet pa likujdim, duke kaluar plotësisht trashëgiminë e saj ekonomike, financiare dhe ligjore tek kompania përfituese. Shoqëria CFO Pharma nuk merr përsipër gjoba dhe penalitete të cilat i vihen Omega Pharma Group pas këtij bashkimi,” shkruhet në marrëveshje.
Në tetor 2015, kompania “Omega Pharma Group” dhe ish-pronari i saj, Nadir Çausholli u kallëzuan nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor pasi ishte konstatuar një rritje e pazakontë e konsumimit të barit “Ketosteril”-një ilaç i rimbursueshëm.
FSDKSH-e cila administron skemën e sigurimeve shërndetësore dhe financon paketat e shërbimit mjekësor dhe barnave të rimbursueshme për popullatën, kishte identifikuar depon farmaceutike “Omega Pharma” si furnitoren e këtij bari.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se Çausholli dhe “Omega Pharma Group” kishin krijuar fatura fiktive blerjeje të këtij ilaçi, me qëllimin për të justifikuar faturat e shumta të shitjes ndaj farmacive të caktuara.
Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës argumentoi se Çausholli dhe kompania e tij i kishin ndihmuar këto farmaci në aktivitetin e tyre mashtrues ndaj FSDKSH përmes falsifikimit të recetave mjekësore, duke përfituar më pas shuma të konsiderueshme nga buxheti i tij.
Avokati i Çaushollit dhe i kompanisë Omega Pharma, Petrit Ismaili i tha BIRN se akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk qëndrojnë dhe se për këtë arsye ata kanë apeluar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë.
“Deri sa të ketë një vendim të formës së prerë, kompania dhe pronarët e saj janë të pafajshëm,”tha avokati Ismaili për BIRN.
Çausholli dhe “Omega Pharma Group” nuk ishin të vetmit e hetuar për skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme, që sipas Prokurorisë i shkaktuan FSDKSH një dëm prej 2.2 milionë eurosh. Një rrjet farmacish fantazmë dhe zyrtarë të FSDKSH u përfshinë gjithashtu në hetime dhe u akuzuan për veprat e mashtrimit apo të shpërdorimit të detyrës.
Për të shmangur problematika të ngjashme, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili ka ndërruar disa drejtorë që prej zbulimit të skandalit, deklaroi se ka shtrënguar kriteret për lidhjen e kontratave me importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë.
Në listën e dokumenteve, të publikuar në faqen zyrtare kërkohen vërtetime nga Prokuroria dhe nga gjykatat, të cilat tregojnë se kompanitë, administratorët apo ortakët e tyre nuk janë në hetim apo në procese gjyqësore me Fondin.
Megjithatë, kriteret zyrtare nuk e kanë penguar FSDKSH që të përfshijë mes klientëve aktualë të saj edhe kompaninë që trashëgoi kapitalet e Omega Pharma-të cilën e kallëzoi në Prokurori vetëm pak vite më parë. /Gazeta Jonë