Prej ditësh qeveria ka “zbritur” në terren shkakun e mos rritjes së pensioneve. Për drejtuesit e ekzekutivit informaliteti mbetet shkaku kryesor dhe për këtë do të merren masa. Por sa në të vërtetë ndikon kjo në skemën e pensioneve? A është vetë skema një problem? A është ikja nga vendi një problem tjetër? Cilët janë sektorët më të prekur nga informaliteti? Janë një sërë çështjesh që prekin skemën e pensioneve që nga modeli ekonomik, ikja nga vendi dhe më pas informaliteti.

Megjithatë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka konstatuar se nga 662 mijë vende pune të deklaruara, duke përjashtuar të vetëpunësuarit, 10% janë nën pagën minimale dhe 22.9 % janë me pagë minimale. Pra, në total janë mbi 217 mijë të punësuar me paga të ulëta deri në 40 mijë lekë ase rreth 33% e totalit të vendeve të punës.

Cilët sektorë kanë këta të punësuar dhe që rrjedhimisht, dhe a kanë shkaktuar edhe informalitetin më të lartë?

Tatimet rendisin tregtinë, turizmin dhe ndërtimin, si sektorët më problematikë për sa i përket pagave të nëndeklaruara apo atyre në të zezë.

Përse kjo situatë në Shqipëri?

Arsyet janë disa, si eficenca e ulët e administratës; mjedisi i dobët i biznesit dhe nivelet shumë të larta të varfërisë; mungesa e besimit tek institucionet dhe perceptimi i lartë i korrupsionit; niveli i lartë i tatimit mbi pagat; burokracia dhe ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal. Arsye këto që i bashkëngjiten dhe nevojës për model të ri ekonomik apo gjetjen e mënyrave që shtresa e mesme të mos largohet nga vendi.