Tre javë nga dita e zgjedhjeve lokale kryetari i bashkisë Kavajë ka hapur një tender. Rreth 50 milionë lekë të vjetra për printime, fotokopje dhe skanime. Shuma rritet akoma më shumë me llogaritjen e TVSH-së.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 12 ditë përpara zgjedhjeve, që do të thotë se fituesi do të shpallet para 14 Majit. Por përse po bëhet një tender me një vlerë kaq të madhe, referuar një bashkie në faliment, për 36 muaj shërbim “fap e fap”.

Jo vetëm kaq, por në tenderin e firmosur nga vetë kryetari Redjan Krali theksohet se financimi i këtij shërbimi është pjesë e buxhetit afatmesëm dhe afatgjatë të hartuar nga Bashkia Kavajë, duke i dhënë prioritet të veçantë. Referuar kontratës, gjithçka i ngjan një “koncesioni” për fotokopje.

Bashkia kërkon që operatori ekonomik duhet të ofrojë shërbimin e printimit me shtrirje në të gjithë institucionet e varësisë të Bashkisë Kavajë si dhe te instalojë e konfigurojë pajisjet të ndara sipas institucionit.

Një shumë e tillë në këtë moment, jo vetëm për faktin që jemi përpara zgjedhjeve, por tërheq vëmendjen edhe për faktin që kjo bashki vitin e kaluar ishte listuar nga qeveria mes shtatë institucioneve të pushtetit vendor thuajse në faliment. /GazetaJone