
Pas zgjedhjeve të 11 majit, PS do të ketë një grup parlamentar të riformatuar, pasi vetëm 16 deputetë aktualë janë përfshirë në listën e sigurt. Një ndër to është edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili do të kryesojë Qarkun e Tiranës, së bashku me drejtuesit politikë dhe ministrat e tij.
Emri risi në kryeqytet është vetëm pedagogia e gazetarisë Iris Luarasi.
“Senatorët” socialistë, nga Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Mimi Kodheli dhe Pandeli Majko në listën e hapur prej 37 kandidatësh do të luftojnë me njëri-tjetrin për të ulur sërish në karrigen e Parlamentit. Bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, 16 nga 17 ministrat e kabinetit Edi Rama ka kërkuar t’i ketë në ekipin e 11 majit.
13 në zonën e sigurt, ndërsa Ministri i Brendshëm, Ministri i Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë do të duhet të garojnë edhe për një votë me deputetët socialistë në Tiranë.
Për të përçarë votat e PL, Manastirliu kandidoi ish-numrin 2 të kësaj partie, Endrit Braimllari.
Fieri është një prej qarqeve me transformimin më të madh në përbërje të listave. Nga 7 deputetët e mbetur, Belinda Balluku ka mbajtur vetëm Antoneta Dhimën. Ndërsa i mori PDIU-së një deputet çam, Nusret Avdullën.
Edhe Vlora vjen me një listë të re, pasi vetëm 2 deputetë i mbijetuan këtij qarku. Në garë të hapur do të jenë Vullnet Sina, i cili u tërhoq nga dorëheqja dhe Damian Gjiknuri, autori i formulës së re të mbylljes së listës.
Lista e Shkodrës nuk ka një figurë të rëndësishme politike, përveçse personazheve të momentit dhe trashëgimtarëve politikë, ku ish-deputeti i LSI, Agron Çela, loboi që t’i jepte një vend të sigurt vajzës së tij Xhenis Çela.
Tradita e një kandidate grua nga Tirana e përndjek në çdo palë zgjedhje Niko Peleshin, i cili pavarësisht dëshirës së tij, i siguroi një vend të sigurt kryetares së Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko. Korça gjithashtu i rrëmbeu një aleat Sali Berishës në momentin e fundit, kryetarin e Partisë Maqedonase.
Në Durrës, Edi Rama theu rregullin e vendosur nga ai, duke futur në listë 3 deputetë, duke i gjetur edhe vend deputetes së Dibrës, Aurora Mara.
Mirela Kumbaros në Gjirokastër i është nevojitur edhe ish-kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, për të ruajtur rezultatin e 2021. Ndërsa Eduard Shalsi, pasi i siguroi vetes mandatin e vetëm në Kukës, i hodhi sytë edhe nga demokratët për të marrë në listë ish-deputetin Alban Zeneli.
Ervin Demo dha dorëheqjen nga Bashkia e Beratit për të qenë në Parlament, ndërsa nuk mori në ekip Nasip Naçon dhe Bardhyl Kollçakun që mbeten jashtë listave.
Edhe Elbasani shkeli rregullin duke i siguruar sërish mandatin deputetes Evis Kushi, ndërsa një vend u gjend edhe për Bora Muzhaqin.
Për të bërë një listë me deputetë të rinj, kryebashkiakë, nënkryetar bashkish dhe drejtorë, kryetari i Partisë Socialiste përjashtoi nga gara 24 të zgjedhur socialistë nga 2021./A2 CNN