one albania

Skemë korruptive ONE Albania – Erion Veliaj ? SPAK heton transfertat mes kompanisë së telekomunikacionit dhe Gogel

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur dyshime për një skemë të mundshme të trafikut të influencës midis kompanisë telefonike “One” dhe shoqërisë së fushatave promocionale “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas dokumenteve hetimore, kompania “One” ka paguar Arbër Veliajn për shërbime marketingu dhe promovimi, ndërkohë që ka fituar tendera pa garë në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i tij, Erion Veliaj.

“Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme jepen gjithashtu detaje mbi përfitimet e kompanisë “One” nga bashkia e Tiranës nën drejtimin e Veliajt.

Skemë korruptive ONE Albania - Erion Veliaj ? SPAK heton transfertat mes kompanisë së telekomunikacionit dhe Gogel
Skemë korruptive ONE Albania – Erion Veliaj ? SPAK heton transfertat mes kompanisë së telekomunikacionit dhe Gogel

“Nga ana tjetër, evidentohet se kompania ‘One Albania’ ka marrë pjesë në disa procedura të prokurimit publik dhe ka arritur të shpallet fituese në disa prej tyre, duke bashkëpunuar kryesisht me qeverisjen vendore të Tiranës”, thuhet në vendim.

Ndërkohë, Gazeta JOne ka denoncuar vazhdimisht mënyrën se si janë përdorur fondet e Bashkisë së Tiranës, të cilat, përmes reklamave të “One” dhe kompanive të ngjashme, janë kanalizuar përmes “Gogel” të Arbër Veliajt për të mbështetur mediat partizane, ndërsa njëkohësisht kanë shantazhuar dhe kanë çuar drejt vështirësive financiare mediat që nuk kanë “kënduar këngën” e propagandës së Veliajt.

SPAK arrestoi Veliajn, tani e ka radhën hetimi i krerëve të ONE Albania , si u shantazhuan gazetarët dhe mediat që nuk i shërbyen kryebashkiakut