Prokuroria italiane ka lëshuar 61 urdhër-arreste në një operacion të ndërmarrë së fundi, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 21 deri tani.
Sipas policisë, të arrestuarit janë nga Shqipëria, Italia, Zvicra dhe Gjermania.
Të arrestuarit akuzohen për trafikim ndërkombëtar të drogës dhe për pastrim parash, ndërsa kishin ngritur një skemë me fatura fiktive për veprime që nuk i kryenin, duke pastruar në këtë mënyrë të ardhurat që rridhnin nga aktiviteti kriminal.
Gjatë operacionit policia sekuestroi 60 milionë euro pasuri dhe 360 kilogramë drogë. Sipas mediave italiane, grupi i strukturuar kriminal e kishte bazën në Shqipëri dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.
Lëndët narkotike hynin në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës, nëpërmjet mjeteve të rënda dhe shpërndaheshin në 5 qendra kryesore në Itali. Ato shpërndaheshin në Breshia, Lombardia Palazzolo sull’Oglio, Varese dhe Piza.
Më pas trafikantët pastronin paratë në bashkëpunim me një grup tjetër nga Kina që kishin “monetizuar” fatura false me vlerën 375 milionë euro.
Krahas 21 arrestimeve që janë kryer deri tani, policia ka sekuestruar rreth 2 milionë euro cash, 5 pistoleta dhe municione përkatëse, 8 makina dhe 360 kg lëndë narkotike e cila nëse do të hidhej në treg do të sillte një fitim prej 30 milionë eurosh.
Aksioni është ende në vijim, ndërsa po kryhen kontrolle të shumta në banesa, duke përdorur dhe qentë dhe instrumente të tjera, bashkëkohore, për gjetjen e personave të shpallur në kërkim, dhe për të sekuestruar paratë që rridhnin nga aktiviteti kriminal.
Deri tani nuk ka detaje në lidhje me identitetin e personave që janë arrestuar, dhe as nëse operacioni për kapjen e anëtarëve të grupit kriminal është shtrirë apo jo në Shqipëri.