Dita e sotme është ditë zie në Shqipëri, ku flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Greqi, mes të cilëve edhe 4 shqiptarë. Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në “Facebook” nënvizoi se tragjedia e Greqisë, ku dy trena u përplasën mes tyre, është dhe tragjedi e vendit tonë.
Ministria e Jashtme ka identifikuar 6 viktima me origjinë shqiptare në radhët e aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi që ndodhi të martën. Bëhet fjalë për Klaudia Laton, Ifigjenia Mickën, Erieta Molkon, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.
Përplasja tragjike e dy trenave kokë më kokë, trenit të mallrave dhe trenit të pasagjerëve në afërsi të Larisës, që u mori jetën deri tani të paktën 57 personave, prej të cilëve disa të karbonizuar dhe të copëtuar, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndodhi në orët e mbrëmjes së 28 shkurtit.
Si ndodhi ngjarja
Treni Intercity 62 i linjës Athinë-Selanik po kalonte pranë stacionit të Larisës pak para orës 23:00 të së martës (28 shkurt) , me 341 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 13 anëtarësh. Pak minuta më vonë, ndodhi tragjedia. Pavarësisht se linja hekurudhore Athinë-Selanik është e dyfishtë, treni i pasagjerëve u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, duke bërë që tre vagonët e parë të dilnin nga shinat dhe të përfshiheshin nga flakët.