Faqja e specializuar për faktet dhe statistikat rreth Shqipërisë, “AlbanianStats” ka zbuluar përqindjen e popullsisë në moshë pune të punësuar në Forcat e Armatosura të Shqipërisë për vitin 2021 sipas rretheve.
Referuar saj, mesatarja kombëtare e ushtrimit të kësaj detyre është më pak se 1 për qind (o.62 për qind), gjithsej 13 mijë e 900.
Rajoni kryesor me përqindjen e popullsisë më të lartë në moshë pune të punësuar në Forcat e Armatosura është Skrapari me 1.51 për qind, sipas “AlbanianStats”.
Në vend të dytë, renditet Tepelena me 1.18 për qind, ndërsa ndjekin Përmeti me 1.05 për qind dhe Kolonja me 1.02 për qind.
Kryeqyteti ruan një përqindje të konsiderueshme 0.98 për qind duke marrë parasysh popullsinë, duke mbyllur kështu top 5 rajonet me më shumë të punësuar në Forcat e Armatosura.
Një aspekt i rëndësishëm që e cilëson një vend si të fuqishëm është forca e tij ushtarake.
Forca Ushtarake e Shqipërisë vlerësohet e 115-ta nga 142 vende të konsideruara për rishikimin vjetor të “Global Firepower“.
Shqipëria mban një rezultat indeksi të Fuqisë Ushtarake prej 3,0023 pikësh.
Që nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO ka nisur të zbatohet plani i integrimit që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me Aleancën.
Pjesë e këtij plani është paketa me objektivat e forcës, të cilat janë marrë përsipër nga FARSH si kapacitete operacionale të cilat vihen në dispozicion të NATO për misionet aktuale dhe të ardhshme.
Thelbin e tyre e përbën “Grup-batalioni i Lehtë” me bërthamë b2k të Forcës Tokësore, si dhe elementë të bashkëngjitur nga nënreparte të tjera të Forcës Tokësore dhe Komandës Mbështetëse, e certifikuar nga NATO në shtator të vitit 2018.
Gjithashtu, duke qenë pjesë e NATO Response Force (NRF), janë certifikuar edhe Kompania e Parë dhe e Dytë Komando e Forcës Tokësore, përkatësisht në vitet 2018 dhe 2019.
Në interes të NRF-së, u certifikua më 26 – 27 nëntor 2020 edhe Kompania e Dytë operacionale e Policisë Ushtarake.
Si pjesë e prezencës së përparuar të NATO në Letoni, janë certifikuar pesë toga të Kompanisë EOD të Batalionit të Xhenios, Komanda Mbështetëse.
Kujtojmë që Shqipëria do të mirëpresë sërish stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023”.
Dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende.
Ajo filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin.