Rosat e vogla prej gome janë ndër lodrat më të njohura të banjës së fëmijës. Shumë nëna i hedhin ato në govatë apo vaskë teksa lajnë vogëlushët dhe parë nga ky këndvështrim, duket se nuk mund të kenë asnjë rrezik. Por, një studim i Institutit Federal Zviceran të Shkencës dhe Teknologjisë Ujore (Eawag) në bashkëpunim me universitetet ETH dhe Illinois është përqendruar në anën e errët të këtyre lorave, që ne nuk mund ta shohim.
Nëse e prisni përgjysmë një rosë gome që është përdorur për njëfarë kohe, mund të tronditeni. Rezulton se një banjë e ngrohtë dhe e lagësht krijon kushtet perfekte për rritjen e baktereve dhe kërpudhave dhe lodrat e banjës nuk bëjnë përjashtim. Me kalimin e kohës, sipërfaqja e brendshme e lodrës kthehet në vatër papastërtish dhe infeksioni.
Por, si do të ndikojë kjo te fëmijët?
Sipas studiuesve, një rosë gome e përdorur mund të ketë nga 5 milionë deri në 75 milionë qeliza kërpudhash dhe bakteresh për 1 centimetër katror të sipërfaqes së saj të brendshme. Bakteret potencialisht patogjene që u gjetën gjatë hulumtimit përfshinin Legionellën.
Cila është arsyeja që kërpudhat dhe bakteret rriten brenda këtyre lodrave?
Sipas studiuesve, fajin e kanë materialet plastike nga të cilat janë bërë këto lodra. Shumë shpesh këto materiale kanë cilësi të dobët dhe mund të lëshojnë sasi të konsiderueshme të përbërjeve organike të karbonit. Këto fakte janë të vërteta jo vetëm për rosat, por edhe për lodrat e tjera të banjës të të njëjtit lloj, të përbëra nga materiale të ngjashme.
Duke folur për rrezikun e mundshëm shëndetësor të rosave të gomës, Frederik Hammes nga Eawag shprehet: “Kjo mund të forcojë sistemin imunitar, gjë që do të ishte pozitive, por gjithashtu mund të rezultojë në infeksione të syve, veshëve apo edhe gastrointestinale”.
Një nga zgjidhjet mund të jetë thjesht mbyllja e vrimës kur blini rosat apo lodra të ngjashme, në mënyrë që uji të mos hyjë kurrë brenda. Por Frederik Hammes është i sigurt se problemi kryesor që duhet të zgjidhet, qëndron në materialet që përbëjnë lodrat dhe sugjeron se duhen zbatuar rregulla më të rrepta për to.