Duket se Raiffeisen Bank është viktimë e një sulm kibernetik nga hakerat rusë që kanë bllokuar faqen . Banka thotë se po bëjnë punime.
Raiffeisen Bank në Shqipëri është duke u përballur me probleme të shumta në aksesimin e faqes së saj Raiffeisen.al e cila për momentin nuk ofron shërbime.
Gazeta Jonë tentoi disa herë të futej në faqen e Raiffeisen Bank gjatë mesditës dhe pasditës së të premtes, datë 22 shtator, por ka qenë e pamundur.
Në vend që të hapet Raiffeisen.al, faqja e bankës në Shqipëri ben redirect te faqja e bankës mëmë në Austri duke lënë pa shërbim dhjetëra mijëra klientë të saj.
Duket se gjithçka ka ardhur për shkak të një sulmi kibernetik të njoftuar nga hakerat rusë të grupit NoName, të cilët njoftuan sot se kishin sulmuar Raiffeisen Bank, Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, Portin e Durrësit, faqen e qytetit të Tiranës, etj.
Banka reagoi pak më herët përmes një njoftimi në Faqen e Facebook duke gënjyer qytetarët përmes arsyetimit se faqja e ëeb-it nuk aksesohej sepse po kryheshin punime.
Çudi në fakt, sepse punimet korreponduan pikërisht me momentin e sulmit të hakerave rusë.
Sulme mund të ndodhin kudo, por pikëpyetja më e madhe është nëse janë apo jo të sigurta llogaritë e qytetarëve dhe çfarë dreqin bën AKSHI me domainet “.al”, të cilët goditen nga hakerat sikur të bëhet fjalë për lojëra fëmijësh.
Në kushtet e krijuara, është mirë që Raiffeisen Bank të dalë të sqarojë qytetarët dhe të mos mjaftohet me “spin” në rrjetet sociale se gjoja po bëjnë ndërhyrje teknike në faqe, pasi e ka marrë vesh e gjithë bota tashmë që janë nën një sulm kibernetik dhe sistemet duket se i kanë aq të dobta sa nuk mbajnë dot në këmbë një faqe ëebsite.
Le të shpresojmë se sulmi i hakerave ndaj Bankës të jetë kufizuar vetëm te faqja dhe jo sistemet e veprimit; kontrollit apo sigurisë , të cilët do të kompromentonin seriozisht të dhënat e klientëve të Raiffeisen Bank.
Grupi i hakerave ruse “NoName” janë të njohur për sulme të tilla dhe kanë fokus faqet qeveritare dhe bankat.
Sipas njoftimit të hakerave në Telegram, nën sulm tani janë:
– Uebfaqja e parlamentit.
– Uebfaqja e Portit te Durresit.
– Uebfaqja e qytetit te Tiranes.
– Raiffisen Bank Shqiperia.
– United Bank Shqiperia.
/Gazeta Jonë