Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka zbërthyer mesazhin e sulmit rus në godinën ku e kishte zyrën edhe Ambasada shqiptare në kryeqytetin ukrainas, Kiev, përveç pesë ambasadave të tjera. Me anë të postimi të publikuar në rrjetet sociale Majko shkruan se politika ruse si rregull nuk bën asgjë gabimisht. Majko shkruan se ky është një mesazh për çmimin që duhet të paguajë Shqipëria për mbështetjen e Ukrainës.

“Sulm i ushtrisë ruse ndaj ambasadës së Shqipërisë në Kiev…Politika ruse, si rregull, nuk bën asgjë, gabimisht! Ajo të kujton, në mënyrën e vet, se çdo gjë ka çmim! (shënim nga Prishtina)”, shkroi Majko.

Ambasada shqiptare në Kiev është dëmtuar, si pasojë e sulmeve ruse në Ukrainë. Përmes një njoftimi Ministria e Jashtme deklaroi se si pasojë e sulmeve u vu në rrezik jeta e personelit diplomatik. Nga sulmi rus është goditur edhe infrastruktura kritike në Rajonin e Goloseevit, ku gjenden 6 ambasada, në mesin e të cilëve edhe ajo shqiptare. Fatmirësisht nga ky sulm raportohet vetëm për dëme materiale dhe asnjë nga anëtarët e personelit nuk është lënduar nga sulmi.