Një skandal ka përfshirë sistemin arsimor në Shqipëri e ka zanafillën në Kolegjin Universitar Wisdom! Gjithçka u sinjalizua nga mediat italiane që raportuan se dy administratorët e Wisdom në Tiranë, kanë ngritur një skemë mashtrimi, ku shpërndanin diploma false për studentët në Itali, kundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit, që kërkohej nga ana e përfituesve. Aksesin e kanë marrë nga zyrtarja Shqiponja Telhaj, e cila ka qenë në krye të Agjensisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, e njohur shkurtimisht si ASCAL dhe gjatë kohës që ka mbajtur këtë detyrë, i ka hapur rrugën akreditimit të këtij Kolegji Universitar në Shqipëri.
Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të cilët duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.
Por përgjimet e Guardia Di Finanza, falë një komenti dhe dëshmive të të gjithë atyre që kishin blerë diploma false, një prej tyre dhe një mësuesi, zbuluan se në fakt ajo që po ndodhte në vendin tonë ishte një skemë mashtrimi dhe shitje diplomash
Si u zbulua skandali?
Mjaftoi një koment në rrjetet sociale, më konkretisht në faqen “Formamentis Albania”, një kompani e cila çoi hetuesit tek dyshja Lucia Catalano dhe Savino Cianci.
Në koment shkruhej: Jeni mashtrues!
Ky koment ka sjellë shqetësime tek çifti që administronin institucionin në fjalë dhe përgjimet kanë zbuluar se Catalano dhe Cianci kërkuan menjëherë fshirjen e komentit. Kështu, hetuesit bënë lidhjen se edhe personi në fjalë ishte “viktimë” e mashtrimit me titujt që jepeshin nga Kolegji.
Por nuk ishte i vetmi!
Gazetari i “Corriere”, Pablo Petrasso ka zbuluar rrëfimin e një mësuesi 48-vjeçar, i cili ishte futur në Kolegj për të pasuruar “CV-në” e tij.
“Kam dhënë mësim në një institut në Altamura, pastaj më pushuan nga puna. Drejtori më tha se certifikata që kam është e rreme,”-tha ai.
Të gjithë të mashtruarit kishin hapur një grup në Facebook (Uniforma gruppo truffati) dhe aty ngrinin dyshimet mbi veprimtarinë që ushtronte ky universitet dhe rrëfenin historinë e tyre.
Zemërimi bëri që të niste përgjimi i administratorve që përfunduan pas hekurave bashkë me të përfshirët e tjerë. Gjithashtu janë sekuestruar dhe 10 milionë euro pasuri që ishte ndarë mes të prangosurve. Bashkëpunëtorët janë identifikuar si: Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa.
Veprimtaria në Shqipëri
Kolegji Universitar “WISDOM” vepronte në Tiranës prej gati tre dekadash, por 3 vite më parë i ishte shitur kompanisë FORMAMENTIS (ish CSUniforma), me ortak të vetëm Savino Cianci dhe administrator Leonardo Catalano.
Në vitin 2021, pasi ishte hapur grupi që i akuzonte për mashtrime me diplomat, bashkëpunëtorët u ndanë në tri nëngrupime: i pari do të ofronte shërbimet në zonën e Tranes; i dyti kishte ngritur një bazë në Foggia duke shfrytëzuar kompani dhe shoqata kulturore dhe duke marrë blerë aksionet e një universiteti privat shqiptar. Grupi i tretë, funksiononte po ashtu në Foggia.
Universiteti Wisdom ka disa programe për studentët si:
Fakulteti i drejtësisë
Bachelor në Financë Bankë
Bachelor në menaxhim biznesi
Bachelor në psikologji
Master i shkencave e drejtë penale
Master i shkencave e drejtë civile dhe tregtare
Master i shkencave administrim biznesi
Master i shkencave psikologji shkollore dhe edukim
SI DHE PROGRAME DYVJEÇARE ME KARAKTER PROFESIONAL
“Agjent i pasurive të paluajtshme”
“Asistent juridik”
Asistent administrativ
Asistent social
Gazetarja Aranita Brahaj ka shkruar se skandali nuk është ndalur vetëm me diplomat false, por madje kanë votuar edhe mbi kandidatët potencial për Institucione të Larta të Drejtësisë KLGJ dhe KLP.
Postimi i Brahajt:
“WISDOM” zgjedh antaret e Institucioneve te Drejtesise!! Ndodh edhe kjo ne Tirane…Ndersa autoritetet italiane po na tregojne “lajkat luxoze” te WISDOM per te mbajt licensa duke korruptuar grate e Qeverise me canta brendi e dhurata, skandali paska qene me i thelle.
Njoftimi ku përmendet Wisdom:
Mbi përzgjedhjen e pesë organizatave të Shoqërisë Civile të cilat do të kryejnë verifikimin paraprak të kandidaturave për anëtarin që përfaqëson Shoqërinë Civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në përputhje me procedurat e parashikuara nga nenet 56 dhe 154 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, pas përfundimit të procesit të votimit pesë organizatat që morën më shumë vota ishin si më poshtë: ✓ Qendra “Qëndresa Qytetare”; ✓ Shoqata “Drejtësia Sociale”; ✓ Klinika Ligjore “Wisdom”; ✓ Fondacioni “Kontribut për Edukim”; ✓ Qendra Shqiptare për një Zhvillim të Qëndrueshëm. Organizatat e mësipërme të përzgjedhura si anëtarë të komisionit të shoqërisë civile zgjodhën si kryetar të këtij komisioni z. Gentian Serjani, përfaësues i shoqatës “Drejtësia Sociale”. (Avokati i Popullit; përzgjedhje; kritere; Komision Ad hoc; shoqëria civile; organizata të shoqërisë civile; anëtar KLP; anëtar KLGJ; Këshilli i lartë gjyqësor; Këshilli i Lartë i Prokurorisë; Reforma në Drejtësi; institucionet e reja të drejtësisë).
Reagimet
Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar dhe ka mohuar se ka marrë dhurata nga pronari, apo nga administratori i kolegjit. Në mbrojtje të saj, Kushi thekson se Ministria e Arsimit nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve pasi, akredimi bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj.
Ministria e Arsimit ka lajmëruar se ka nisur procedurat për mbylljen e Kolegjit Universitar “Wisdom” pas skandalit për shitjen e diplomave false në Itali. Pas publikimit të lajmit nga mediat italiane, të cilat publikuan edhe një pjesë të dosjes, MAS pretendon se që në vitin 2022 ka nisur procesin e verifikimit të pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar “Wisdom”. Ndër të tjera në reagimin zyrtar, MAS njofton se po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të Kolegjit. Madje, theksohet se për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka pasur kuota pranimi.
Të njëjtën deklaratë e “përforcoi” edhe ministrja Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në emisionin “Opinion”. Ministrja theksoi se ka pasur një grup pune kontrolli të këtij insititucioni arsimor që nga viti 2019 dhe janë konstatuar një sërë shkeljesh.
“Në gjithë këtë infrastrukturën e re të arsimit të lartë ne kemi tashmë institucione që akreditojnë programet e studimit, kolegjet, universitetet, që janë të pavarura nga Ministria, por vetë Ministria vlerëson periodikisht aktivitetin e tyre. Në Dhjetor 2023, në vijim të verifikimit të ligjshmërisë ka filluar për 12 institucione publike dhe private pikërisht inspektimi i ligjshmërisë. Për këtë institucion masat janë marrë. Grupi i punës që ka qenë në kontroll përgjatë gjithë këtyre muajve ka arritur në përfundimin se rekomandimi është mbylja e këtij institucioni. Kemi marrë masat që në Korrik! Kemi raportin e grupit të punës. Janë një seri shkeljesh përgjatë viteve që është ushtruar ky kontroll. Kemi konstatuar disa elementë të programit të studimit të pamiratuara nga Ministria, ka konstatuar regjistra themeltarë sepse tani po bëjmë një reformë totale për sistemin online të numrit të amzave, këto regjistra kanë pasur problematika që janë zbardhur. Është punuar për një periudhë nga viti 2019 deri në 2022-in për këtë institucion dhe të tjera. Jo vetëm që janë kontastuar dhe jemi në procedurat e mbylljes, ne në Korrik nuk u kemi akorduar apo çertifikuar kuota për hapjen e tij,”-tha Manastirliu.
Por, kjo gjë nuk e ka ndaluar Kolegjin që të kërkojë rekrutë të rinj për të dhënë mësim në auditoret e tyre. Gazeta ka gjetur në faqen e tyre zyrtare një njoftim që lajmëronte hapjen e një konkursi për vende të punë pranë “Wisdom”.
Njoftimi
“Vende vakante, kërkohen pedagogë në fushat: informatikë, financë, matematikë, psikologji klinike, shkenca mjekësore, e drejtë penale dhe civile,”-shkruhej në faqen e tyre zyrtare. Njoftimi për vendet e reja të punës ishte dhënë që në datën 9 shtator, e afati i fundit i aplikimit ishte dita e sotme.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shqiponja Telhaj është shprehur nuk ka pranuar asnjë dhuratë, siç pretendohet në dosje se ka marrë një çantë “Louis Vuitton”.
“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pire kurre as edhe nje kafe e nuk ka pranuar kurre asnje dhurate nga asnje perfaqesues i universiteteve te huaj apo shqiptare. Pres qe autoritetet zyrtare dhe mediat qe kane permendur emrin tim pa asnje fakt ne lidhje me dosjen e universitetit Wisdom (perfaqesuesit e te cilit nuk ia kam njohur ndonjehere) te kerkojne falje per shpifjet. Akreditimi i institucionit ne fjale nuk eshte kryer asnjehere nga ky bord!,”-shkruan ajo në rrjetet e saj sociale.
Ku shkonin paratë e përfituara?
Të ardhurat e paligjshme u përllogaritën në rreth 10 milionë euro, që më pas ishin riinvestuar në blerjen e pasurive të paluajtshme apo mjete luksoze si Maserati.
Ndërkohë që në vendin tonë ende nuk është njoftuar nisja e një hetimi për rastin, edhe pse në dosjen e Prokurorisë italiane flitej për përfshirjen e zyrtares Telhaj.
A do t’i shkojnë më tej autoritetet shqiptare kësaj dosjeje?