Volpini 2, superjahti i miliarderit australian, Lindsay Fox mbërriti këtë të Dielë në orët e para të ditës në Sarandë për t’u furnizuar me naftë. Jahti 58 metër i gjatë është ndërtuar nga kompania hollandeze Amels në vitin 2018 dhe është shitur me një çmim prej 60 milionë dollarë tek pronari i tij aktual, miliarderi australian Fox.
Sipas të dhënave teknike, jahti ka një serbator me kapacitet prej 146 mijë litrash karburant, aq sa u deshën plot 3 autobote për të përfunduar furnizimin e tij.
Prej vitesh, qeveria shqiptare kishte përjashtuar nga çdo taksë naftën që u shitej jahteve me justifikimin për të stimuluar turizmin. Pas presionit të madh publik, vitin e kaluar ministria e Financave u detyrua të propozonte një taksë 65 lekë për litër për karburantin e jahteve, që më vonë u reduktua në 45 lekë për litër në Parlament.
Me miratimin e taksës, disa biznesmenë me interesa në turizëm u ankuan se kjo do të dëmtonte industrinë e turizmit në Shqipëri. Por me sa duket jahtet e miliarderëve vazhdojnë të vijnë me të njëjtin ritëm në Sarandë për të përfituar naftë me taksa të ulëta. Në fund të fundit edhe miliarderët kanë qejf të kursejnë duke përfituar naftën me çmim të ulët që u shet Shqipëria. Në këto raste miliarderët zbrazin edhe depozitën e jashtëqitjeve në vendin tonë për të vijuar rrugëtimin me shuma të mëdha të kursyera si dhe të lehtësuar.