Safet Gjici u bë kryebashkiaku i radhës i Rilindjes që largohet nga detyra pasi i shpërthen në duar një skandal seksual. I pari që u largua po me këtë motivacion është Shukri Xhelili, të cilit në 2015-n, pak pasi ishte zgjedhur kryetar në Bashkinë e Dibrës iu publikua një video intime e ngjashme.

Xhelili u dënua me 4 vite burg për shfrytëzim posti për favore seksuale. Mbetet për t’u mësuar nëse Safet Gjici do të akuzohet për të njëjtën vepër penale, por ai i ka paraprirë duke thënë në deklaratën e dorëheqjes se kishte prej kohësh marrëdhënie intime me vajzën që shfaqet në video-skandal, duke nënkuptuar se në këmbim nuk i ofronte asaj favore nga pushteti.

Këta janë dy rastet e largimit nga detyra prej orekseve seksuale.

Por lista e kryebashkiakëve rilindas të larguar nga posti për korrupsion, apo për lidhje me krimin është më e gjatë. I pari që u largua është Ervis Rroshi i Kavajës.

Në dokumentacionet zyrtare ai rezultonte me disa identitete, ndërsa në qershor të 2016-s jep dorëheqjen pasi akuzohej se kishte fshehur te dekriminalizimi disa procese dhe vendime gjyqësore në Zvicër e Itali, ku mes akuzave që rëndonin ndaj tij ishte edhe ajo e përdhunimit. Në 2018-n, gjykata e Tiranës e dënoi me burg të konvertuar në shërbim në komunitet për falsifikim dokumentacionesh, pikërisht pse nuk kishte deklaruar këto dënime të dekriminalizimi.

Agim Kajmaku u zgjodh pa garë në 2019-n në krye të bashkisë së Vorës. Detyrën e mbajti një vit. Në korrik të 2020 u shpall në kërkim për falsifiklim dokumentash zyrtare, pasi kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Megjithatë, akuzën më të rëndë ndaj tij e ngriti drejtësia italiane, për trafik droge pasi e kapi një vit më parë më 20 kilogramë kokainë.
Vangjush Dako nuk bën pjesë te asnjëri prej këtyre grupeve.

Ai është përfolur e akuzuar për lidhje me grupet kriminale, është akuzuar për korrupsion por nga zyra doli vetë në vitin 2019-të. Pas këtij viti, u akuzua se de facto vijonte të drejtonte ende këtë bashki, ndërsa SPAK e arrestoi pak ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy raste. Veç kësaj, Dako është mes emrave të ‘damkosur’ nga Departamenti i Shtetit me vulën ‘Non grata’.

Kryebashkiaku tjetër rilindas i larguar ‘përdhunshëm’ nga detyra është Lefter Alla i Bulqizës. Ai u akuzua vetëm pak javë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën e korrupsionit.

Ky është epilogu në karrierën e politikës lokale të Allës, ndërsa në të shkuarën u hetua edhe për një video që qarkulloi ku shfaqej në ambientet e një lokali nën dyshimet e konsumit të kokainës.

Për korrupsion u akuzua, arrestua dhe dënua edhe Fatos Tushe i Lushnjes, ndërsa në karrierën e tij ndryshe nga emrat e tjerë të paktën nuk është përfolur për lidhje me krimin.

Kjo është lista e kryebashkiakëve rilindas, që janë larguar me hir dhe pahir nga zyra për shkak të problemeve me ligjin, apo orekseve seksuale që u shtohen me shtimin e pushtetit, si në rastin e Safet Gjicit.