Fluturimet e para me emigrantë që kanë hyrë ilegalisht në territorin amerikan dhe tani po deportohen nga administrata Trump kanë filluar, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Carolyn Leavitt publikoi në llogarinë e saj X imazhe të emigrantëve që hipnin në një avion ushtarak.

Ata kanë një zinxhir rreth belit dhe duart e tyre janë gjithashtu të lidhura, siç ndodh zakonisht në këto fluturime.

 

Ata shoqërohen nga personeli ushtarak për t’u ngjitur në avion.

“Fluturimet e dëbimit kanë filluar ”, shkroi ajo në një postim në X, duke shtuar: “ Presidenti Trump po i dërgon një mesazh të fortë dhe të qartë botës: Nëse hyni ilegalisht në SHBA , do të përballeni me pasoja të rënda”.

Përdorimi i avionëve ushtarakë është një “risi” e administratës Trump.

Nuk dihet se nga ishin këta emigrantë, por besohet se janë persona që kanë hyrë së fundmi në SHBA dhe janë kapur nga Patrulla e Kufirit.

Fluturimet e para u zhvilluan të enjten pasdite, tha një zyrtar i Sigurisë Kombëtare për CNN. Nga Guatemala u dëbuan 75-80 persona.