Humbja e flokëve është shumë më e përhapur te burrat sesa tek gratë, kështu që përdorimi i saj për të përshkruar dikë është një formë diskriminimi, ka thënë një gjykatë. Sipas saj, të komentosh për mungesën e flokëve të një burri në vendin e punës është e ngjashme me komentet për madhësinë e gjoksit të një gruaje, raporton Guardian.
Vendimi u mor pas një çështjeje të ngritur nga një elektricist ndaj kompanisë ku ishte i punësuar. Tony Finn ishte i punësuar për British Bung Company me bazë në West Yorkshire për gati 24 vjet kur u pushua nga puna në maj të vitit të kaluar. Ai e çoi kompaninë në gjykatë duke pretenduar, ndër të tjera, se kishte qenë viktimë e ngacmimeve seksuale pas një incidenti me mbikëqyrësin e fabrikës, Jamie King.
Finn pretendoi se gjatë një grindjeje në dyqan në korrik 2019, King i ishte referuar atij si një “bald cunt”. “Bald” do të thotë “tullac”, ndërsa “cunt” është një fjalë vulgare në zhargon që i referohet organeve gjenitale femërore.
Fyerje apo ngacmim? Gjykata vendosi që duke iu referuar paditësit si “bald cunt”, sjellja e zotit King ishte një shkelje e dinjitetit të paditësit që krijoi një mjedis frikësues për të dhe ishte e lidhur me seksin e paditësit.
Kompensimi i Finn do të përcaktohet në një datë të mëvonshme.