Tenderi i printerave, plas keq mes drejtorit Ceno Klosi dhe biznesmenit Grigor Joti

Grigor Joti është një klient i vjetër i tenderëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, por këtë radhë e kanë lënë jashtë ndarjes së tortës.

Kështu po ndodh me tenderin 700 milionë lekë të Drejtorisë së Tatimeve. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Qira operacionale (Pajisje elektronike, fotokopje, printerë, etj)”.

Fillimisht duhet të theksojmë se kreu i DPT po bën një shpenzim marramendës prej 700 milionë lekësh (840 milionë lekë me TVSH) për të marrë printerë dhe fotokopje me qira, kur me kq lekë mund të blinte pajisjet dhe t’i përdorte për disa vite.

Këtë tender e ka fituar firma  “Kallfa” SHPK, por në garë ka qenë edhe firma “Infosoft Office” SHPK, në pronësi të Frederik Prodanit, por që pas saj qëndron oligarku Grigor Joti, si themeluesi i firmës.

Joti është revoltuar për faktin që këtë herë drejtori Klosi nuk lidhi kontratë me të, sikur ndodh rëndomë dhe për këtë arsye i është kundërvënë. Në fakt, revoltimi i tij i bën publikut sepse kanë dalë në shesh të palarat e tenderëve fasadë. “Infosoft” e ka denoncuar tenderin e Tatimeve pranë Komisionit të Prokurimeve Publike.

Ankesa është dërguar më datë 25 prill 2023 dhe aty tregohet së për këtë tender kanë paraqitur oferta 7 firma me vlera të ndryshme. Sidoqoftë, Klosi ja ka dhënë fondin pa garë fare kompanisë “Kallfa” SHPK. Sipas denoncimit, “Kallfa” nuk përmbush kriteret, sepse ka bërë një ofertë anomalisht të ulët dhe mund të lërë të pa zbatuar kontratën.

 

Tenderi i printerave, plas keq mes Ceno Klosit dhe biznesmenit Grigor Joti
Tenderi i printerave, plas keq mes Ceno Klosit dhe biznesmenit Grigor Joti

Por, tatimet në përgjigjen e tyre shkruajnë se “Kallfa” SHPK ka dorëzuar dokumente që vërtetojnë se ka kryer shërbime të tjera të ngjashme edhe pse ka ofertë anomalisht të ulët.

 

Pavarësisht shpjegimeve të DPT, nga shqyrtimi i ofertës ekonomike të operatorit ekonomik “Kallfa” SHPK, si edhe nga përllogaritjet e kryera, Komisioni i Prokurimit Publik konstaton, se oferta ekonomike në vlerën prej 25.588.230,00 lekë pa TVSh, në zbatim të dispozitave ligjore të sipërcituara, rezulton anomalisht e ulët.

Prandaj dhe kërkon anulimin e vendimeve të marra nga Tatimet mbi ofertën e tij.

Gjithsesi, KPP ka vendosur që ankesa e Infosoft, e cila kërkon në përfundim shpalljen e saj fituese, nuk do të merret parasysh, pasi i gjithë procesi do të kthehet në fazën fillestare, shkruan gijotina.

Ndërkaq, vlen të theksohet se KPP ia rrëzoi këtë tender Klosit, duke theksuar se është shpallur fituese një firmë që nuk përmbush kriteret dhe është shkelur ligji.

Tenderi për momentin është anuluar, por mësuam se çfarë bëhet mes kompanive private dhe institucionit të Tatimeve për të ndarë dhe përvetësuar fondin 840 milionë lekë!