Ambasada e SHBA në Tiranë, ka reaguar në 8-vjetorin e ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.
Ajo që bie në sy në reagimin e Ambasadës së SHBA-së, është mospërmendja e asnjë force politike apo politikani në veçanti, teksa theksi vihet mbi mbështetjen që populli shqiptar i ka dhënë institucioneve të reja të drejtësisë.
Ambasada e SHBA thotë se mbështetja e tyre ndaj drejtësisë së re dhe qytetarëve shqiptarë do të vijojë.
Reagimi i plotë:
Në këtë tetëvjetor të miratimit unanim të amendamenteve kushtetuese që hapën rrugën për reformën në drejtësi, ne urojmë popullin shqiptar për mbështetjen në zbatimin e pakthyeshëm të saj.
Siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, reforma në drejtësi nuk do të ishte e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo po jep rezultate dhe po e bën Shqipërinë një demokraci më të fortë. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar me popullin e Shqipërisë në këtë përpjekje të vështirë dhe të guximshme.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve të Shqipërisë, ndërsa ata bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe afrimin e Shqipërisë me komunitetin euroatlantik të kombeve.