Më 30 korrik 2023, Oficeri Gardës dhe pjesë e Shtabit të saj, Martin Nikolli, me detyrë shef trupe i sigurimit të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, mblodhi fisin dhe sulmoi fizikisht familjen Kaçi me “modelin” e dajakut të fisit “Rraja”.
Pronarët dhe analistët e mediave pranë pushtetit, që kanë fëmijët, gratë e dashnoret me punë në kuvend dhe marrin tenderë, u angazhuan në një aksion “pastrimi të fytyrës” së Lindita Nikollës, duke e quajtur fillimisht Martin Nikollin si “punonjës fakir në gardë” që nuk punonte me të.
Ndërsa më 31 korrik e minimizuan deri në mashtrime, sikur Martin Nikolli ka qenë “shofer rezervë kur mungonte shoferi dhe gjoja nuk i ka shërbyer as 1 ditë Lindita Nikollës; po këto mashtrime kanë vetëm një qëllim: të fshehin lidhjet reale zyrtare e private dhe punët e pista që Martin Nikolli ka bërë në emrin e Lindita Nikollës, të porositura, të ditura e lejuara prej saj.
Por disa të vërteta që ka zbuluar “Pamfleti” nga dokumente dhe burime konfidenciale brenda Gardës së Republikës e Kryesisë së Kuvendit, faktojnë se Martin Nikolli për Lindita Nikollën është tepër i besuar dhe i përfshirë në shumë punë të pista në emër e dijeni të saj.
– P.sh., kryebanditi i Lindita Nikollës ka qenë trupëroje i saj në vitet 2013-2017. Deri në muajin shtator 2021 ka qenë N/oficer shoqërimi i Erjon Braçes me pagë 740 mijë lekë, pastaj u gradua Oficer Trupe Drejtimi me pagë mujore 1.1 milionë lekë, i Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, kërkuar personalisht prej saj.
– Martin Nikolli nuk ka qenë shofer rezervë i Lindita Nikollës por shoqërues i parë dhe shofer familjar, që ka përdorur 3 makinat e saj zyrtare: “Benz S350L”, “Benz ML 350” e “Benz S560”.
– Ditën e dhunës, Martin Nikolli ka qenë me makinën “Mercedes-Benz S560” të Kryetares së Kuvendit, që përdorej prej tij si makinë private e krekosej me logon: “Kryetari i Kuvendit”.
– Policia nuk ka pasqyruar si provë në raportin e mbikëqyrjes nr. 156/1, faktin që në këtë makinë të Lindita Nikollës, të konstatuar në vendin e dhunës, është gjetur 1 automatik “MP5” (9×19 milimetër), pa urdhër përdorimi nga Garda si armatim personal apo kolektiv i trupës shoqëruese.
– Policia nuk ka pasqyruar në raport, as faktin që pistoleta e Martin Nikollit, me të cilën qëlloi ndaj familjes “Kaçi”, figuron e dorëzuar në depon e armatimit të Gardës qysh me 20 korrik 2023, kur krye banditi i krye parlamentares, kishte filluar lejen vjetore, por koburja ndodhej në brezin e tij, pra, është falsifikuar regjistri i armatimit në përdorim.
Lidhjen e fortë të Lindita Nikollës e dëshmojnë edhe këto qoka që ajo i ka bërë me fuqinë si Kryetare Kuvendi dhe me ndikimin te Drejtuesi i Gardës: në Vitin e Ri, Lindita Nikolla, i ka dhënë Martin Nikollit 1 milionë lekë shpërblim nga Kuvendi, kur ai nuk është punonjës i Kuvendit, ndërsa nga 28 ditë leje që i takon sipas gradës, i është dhënë 45 ditë sa Linda.
Referuar të dhënave, dhuna e fisit “Nikolli”, ka të njëjtin zinxhir dijenie dhe mos veprimi nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nga krye polici Muhamet Rrumbullaku, nga Shefi i Gardës, Gramoz Sako dhe nga ish-ministri Bledar Çuçi.
Më 23 dhjetor 2022, SHISH i ka dërguar një informacion paralel ministrit Bledar Çuçi dhe drejtorit Muhamet Rrumbullaku, për një konflikt dhune me pasoja të pritshme, të nxitur dhe drejtuar nga shefi i shoqërimit të Kryetares së Kuvendit, Oficer Martin Nikolli dhe familja e tij, kundër familjes Kaçi në Hamallaj.
Gjatë muajve janar-maj 2023, pas çdo provokimi e kërcënimi nga oficeri i Gardës, Martin Nikolli, familja Kaçi ka njoftuar 8 herë policinë dhe 7 herë Prokurorinë e Durrësit, 4 herë Bablokun, 2 herë Kreun e Gardës së Republikës dhe 6 herë Lindita Nikollën.
Por asnjë nga zinxhiri i policisë, drejtësisë e qeverisë nuk veproi sipas ligjit, ndërsa Lindita Nikolla, në vend t’i kërkonte Gardës largimin e tij nga shërbimi, i rekomandoi familjes Kaçi “zgjidhen e konflikti me pleqësi”; por krye banditi i saj, mblodhi fisin, rrëmbyen armët e hunjtë dhe u vërsulën për të zaptuar tjetër tokë në Hamallaj.
Ka prova zaptimi tokash nga Martin Nikolli në Hamallaj e Himarë; ndërtimet pa leje; paga mujore 1000 Euro që u zhvat bizneseve si i fortë i pushtetit; parcelat e drogës në Pukë, Krujë e Mirditë etj., si vazhdim i akuzës që Ben Blushi i bëri Linditës më 23 mars 20217 në parlament, duke i thënë: – “Ti dhe badigardi yt, kërkoni 3000 Euro për 1 vend pune në arsim”./Pamfleti