Trafikant droge, ekstradohet pa “bujë” në Spanjë Nikolin Janina i Porcelanosa
Bosi i kompanisë “Porcelanosa”, Nikolin Janina, është ektraduar drejt Spanjës, ku kërkohet si pjesë e një grupi kriminal që ka trafikuar mbi 50 kilogramë heroinë në vendin iberik.
Burime zyrtare konfirmuan për “Boldnews.al” se Janina është ekstraduar në fund të muajit korrik të vitit 2023. Ekstradimi i tij është kryer “pa zhurmë e bujë” dhe pa asnjë njoftim publik zyrtar, siç ndodh rëndom në raste të ngjashme.
Biznesmeni Nikolin Janina u përball rreth 7 vite me institucionet e drejtësisë shqiptare, para se ai t’u dorëzohej autoriteteve spanjolle, në mesin e kësaj vere.
Në vitin 2016, gjyqtarja e gjykatës së Porrinos në Spanjë, Rosa Maria Lopez Barral, kishte vendosur ndaj tij masë sigurimi arrest në burg dhe kishte lëshuar urdhër kërkimi ndërkombëtar, pasi e konsideronte përgjegjës, së bashku me persona të tjerë, për episod trafiku lëndësh narkotike të forta.
Janina, i njohur si biznesmen i fuqishëm në fushën e hidrosanitareve në Shqipëri, u arrestua për efekt ekstradimi në Prill të vitit 2016.
Në atë kohë, ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës nuk kishte një marrëveshje dy-palëshe për ekstradimet e shtetasve të tyre drejt njëri-tjetrit. Më konkretisht, Shqipëria nuk mund të lejonte ekstradimin e shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas.
Kjo do të thotë që investimi i gjykatës për lejimin e ekstradimit të Janinës drejt Spanjës ishte i tepërt, pasi fundi ishte i qartë-në mungesë të marrëveshjes dy-palëshe, kërkesa do të rrëzohej.
Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë që të komunikonte me autoritetet spanjolle, ku t’i njoftonte për pengesën ligjore për ekstradimin e Nikolin Janinës, si edhe për të vlerësuar mundësinë që dosja gjyqësore ndaj bosit të “Porcelanosa-s” të transferohej për gjykim në Shqipëri.
Nëpërmjet komunikimit në rrugë diplomatike, gjykata e Porrinos në Spanjë njoftoi autoritetet shqiptare që nuk mund të kryhej transferimi i dosjes gjyqësore të Nikolin Janinës në Shqipëri, pasi ai po hetohej në Spanjë në kuadër të një grupi kriminal, i përbërë nga të paktën 25 persona.
Për shkak të ngërçit ligjor, çështja e Nikolin Janinës mbeti pezull. Rasti i tij nuk iu përcoll gjykatës për shkak se nuk kishte parashikim ligjor për ekstradimin e tij drejt Spanjës, si edhe dosja hetimore ndaj tij nuk iu dorëzua autoriteteve shqiptare.
Ligji i ri rëndoi Janinën
Në mars të vitit 2022, Parlamenti ratifikoi Protokollin Shtesë të Konventës për Ekstradimet mes Shqipërisë dhe Spanjës. Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, iu hap rruga ekstradimit të shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas.
Marrëveshja përfshinte ekstradimet edhe të të gjithë personave, për të cilët ishte lëshuar urdhër arresti para hyrjes së saj në fuqi, por që nuk ishte kërkuar dhe nuk kishte pasur më parë procedurë gjyqësore ekstradimi.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, autoritetet spanjolle dorëzuan drejt homologëve të tyre në Tiranë kërkesa për ekstradimin e një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë.
Një ndër këto kërkesa ishte ri-aktivizimi i urdhër-kërkimit ndërkombëtar për efekt ekstradimi për Nikolin Janinën.
Ai u arrestua sërish në Maj të vitit 2022, për llogari të autoriteteve spanjolle.
Gjykata e Tiranës vendosi fillimisht masën e sigurimit 40-ditor, në pritje të dokumentave të plotë nga Spanja. Masa u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit në fund të Majit 2022.
Ndërkohë, në shtator të atij viti, gjyqtari i Tiranës, Artan Gjermeni, pranoi kërkesën e Nikolin Janinës dhe zbuti masën e sigurimit, duke e vendosur në “arrest shtëpie”. Ky vendim ishte ndër të fundit e Gjermenit, para se ai të jepte dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, në mesin e shtatorit 2022.
Ndërkohë, në gjykatën e Tiranës kishte nisur edhe procesi gjyqësor i themelit, për lejimin e ekstradimit.
Gjykata e kryeqytetit, në Tetor të vitit 2022, vendosi lejimin e ekstradimit të Nikolin Janinës drejt Spanjës, pavarësisht kundërshtive të avokatëve të tij, të cilët pretenduan se kjo çështje ishte shqyrtuar edhe më parë, në episodin e vitit 2016.
Togat e zeza të Tiranës vlerësuan se dosja e Nikolin Janinës nuk ishte shqyrtuar më parë në gjykatë. Referuar të dhënave zyrtare, gjykata konstatoi se vendimi për mos-ekstradimin e Janinës në vitin 2016 ishte një vendimmarrje e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të mungesës së Marrëveshjes, dhe se ai rast nuk kishte kaluar në proces gjyqësor.
Biznesmeni ankimoi vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, në 1 Mars 2023, vendosi të pranonte kërkesën e biznesmenit, duke refuzuar lejimin e ekstradimit të tij.
Për Gjykatën e Apelit ishin të pranueshme argumentat e mbrojtjes, sipas të cilave çështja e ekstradimit të tij ishte shqyrtuar më parë dhe nuk mund të përballej dy herë për të njëjtat fakte penale.
Rasti iu dorëzua Gjykatës së Lartë, në bazë të rekursit të Prokurorisë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në 15 qershor 2023, vendosi përfundimisht për ekstradimin e Nikolin Janinës drejt Spanjës.
Gjithësesi, treshja gjykues e Gjykatës së Lartë nuk kishte qëndrim unison. Dy gjyqtarët në favor të ekstradimit ishin Albana Boksi dhe Medi Bici.
Ndërsa kryesuesi i trupës gjykuese, Ilir Panda, u shpreh kundër ekstradimit të tij. Megjithatë, vota e tij ishte thjesht “statistikës”, pasi vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë ishte lejimi i ekstradimit të Nikolin Janinës.
Pas këtij vendimi, oficerët e Interpol Tirana kanë kryer procedurat dhe e dërguan biznesmenin e “Porcelanosa-s” drejt autoriteteve spanjolle, ku përballet me akuzat e trafikut të narkotikëve. boldnews