Tre peshkatarë janë shpëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi kishin mbetur në det të hapur. Kjo për shkak se mjeti me të cilin lundronin u dëmtua si pasojë e goditjes së një trageti të linjës së Barit në brigjet e Durrësit. Peshkatarët e mbetur në det ishin Klajdi Kapxhiu, Selim Agasi dhe Muhamed, një shtetas egjiptian.
Ata janë nxjerrë në breg nga forcat e policisë detare dhe raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Siç njofton policia, mjeti lundrues i policisë kufitare të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha ishte fundosur në det.
“Port, Durrës: Policia Kufitare e portit të Durrësit shpëton 3 shtetas që lundronin me një peshkarexhë me konstrukt druri, dhe rrezikonin të mbyteshin, pasi peshkarexha iu fundos në det.
Rreth orës 00:05, QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të portit të Durrësit, se 3 shtetas që ndodheshin në një motopeshkarexhë, kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të mbyteshin në det.
Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.
Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.
Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.”, njofton Policia e Durrësit.