Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në Fier, ku Xhuliano Miho vrau me thikë 23-vjeçarin Xhimi Bakaj, bashkëjetuesin e ish-bashkëshortes së tij.
Ngjarja merr përmasa edhe më tragjike, pasi mësohet se gruaja që kishte filluar një jetë të re me të riun, ishte shtatzënë.
Kjo konfirmohet nga vëllai i viktimës, i cili pohoi për “Shqipëria Live” në Top Channel se gruaja priste një fëmijë dhe sipas tij, kjo mund të jetë edhe një prej shkaqeve që çoi në vrasjen e vëllait të tij.
Vëllai i viktimës pohon se ai disponon një video, në të cilën shihet teksa vrasësi Xhuliano Miho kërcënonte me jetë viktimën Xhimi Bakaj.
Bakaj është goditur disa herë më thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa 39-vjeçari Miho është arrestuar dhe ka pranuar menjëherë autorësinë e këtij krimi.
Miho kishte dy fëmijë me gruan 33 vjeçe. Ata ishin ndarë prej 9 muajsh pasi ajo ishte njohur me 23-vjeçarin Bakaj.
Pavarësisht divorcit, burri i saj nuk ia fali asnjëherë ndarjen dhe bashkëjetesën me 23-vjeçarin. Mësohet se gjatë gjithë kësaj periudhe 9-mujore ata kanë pasur debate të shumta. Kulmi ka arritur mbrëmjen e të premtes ku takimi në rrugë solli edhe vrasjen.