“Grand Park Skyline” është kompleksi më i ri i kullave në hyrje të liqenit artifical. Tre kullat do të ngrihen ngjitur me derën e Gardës së Republikës, ne vendin ku sot gjendet ndërtesa katër katëshe e Tirana Bank e oligarkut Samir Mane, ndërsa kompania ndërtuese quhet X One shpk.
Valerio Olgiati, arkitekti i njohur zviceran, ka zbuluar së fundmi dizajnin e tij për Grand Park Skyline. Zhvillimi përfshin dy struktura rezidenciale, një hotel dhe një një kullë drejtkëndëshe me shkallë me motive nga Mesopotamia Antike.
Kompleksi do të ketë 530 apartamente rezidenciale, 184 dhoma hoteli, dy restorante, një pishinë, një banjë dhe palestër në çati dhe mbi 800 vende parkimi nëntokë. Ndërtesat janë projektuar për të maksimizuar dritën natyrore dhe për të ofruar pamje panoramike të liqenit dhe parkut përreth.
Leja e zhvillimit për Grand Park Skyline u miratua në gusht të këtij viti. Ende nuk dihet saktësisht se sa katëshe do të jenë kullat, ndonëse sipas renderit të publikuar nga arkitekti zvicerian duket se më e larta prej tre ndërtesave do të jetë minimalisht mbi 40 kate.
X One shpk është një kompani, e cila zotërohet nga tre pronarë. Ata janë Çesk Ivanaj dhe Ylli Ujka, të cilët zotërojnë nga 37 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur prej 26 për qindësh zotërohet nga biznesmeni Ilir Trebicka.
Ylli Ujka është një biznesmen shqiptar nga Lezha, i cili që nga viti 1997 e deri para pak kohësh ka jetuar në provincën e Vareses në Itali, ku zotëron grupin industrial IDA./ Kapitali.al