Një konflikt në Tiranë ka lënë pas tre të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në Laprakë, në një lokal.
Mësohet se shtetasi Altin Mergjushi 40 vjeç ka goditur Viktor Rrapollarin 64 vjeç, të bijën e këtij të fundit Rigera Rrapollari 40 vjeçe dhe shtetasin italian, Masimo Masovile 47 vjeç, bashkëshorti i Regerës.
Autori është larguar nga vendi i ngjarjes pas sulmit, ndërsa të plagosurit janë nisur drejt Spitalit të Traumës për ndihmë mjekësore.
Viktori ndodhet në gjendje të rëndë për shkak se ka marrë një plagë në kraharor pranë zemrës.
E bija dhe bashkëshorti i saj fatmirësisht janë jashtë rrezikut, teksa e para ka tentuar të mbrojë të atin duke i dalë përballë agresorit, e për pasojë ka marrë lëndime në dorë.
Burime nga uniformat blu, bëjnë me dije se shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një borxhi i pretenduar nga Mergjushi, që kishte të bënte me çështje punësimi.
Nga ana tjetër, mësohet se autori dhe të plagosurit ishin fqinj më njëri-tjetrin në zonën e Laprakës dhe deri mbrëmjen e të hënës, njihen për raporte të mira mes tyre.
Mergjushi njihet nga banorët e zonës edhe si përdorues i narkotikëve, teksa policia është vënë në kërkim të tij.