Në familjen Thomaraj dhimbja është ulur këmbëkryq. Jeta e familjes elbasanase është kthyer përmbys. Enea, djali i madh i familjes u plagos rëndë në orët e para të mëngjesit të 14 korrikut 2024 gjatë shpërthimit të tritolit të vënë në derën e apartamentit ku banonin motrat Alda e Xhovana Nikolli dhe humbi jetën 2 muaj e 20 ditë më vonë në një shtrat në spitalin e Traumës. Data ishte 4 shtator. Nënës së Eneas Luljetës, nuk i thanë tharë sytë asnjë moment. Ajo thotë se shpreson ta shohë Enean të hyjë në derë.
Me një zë drithërues, gruaja tregon momentet e tmerrit. “Ishim në gjumë. U tronditëm nga shpërthimi. U ngritëm me të shpejtë. Enea ishte goditur nga dera që ishte ndarë përgjysmë. Iu afrova dhe i vura kokën në prehër. I doli gjak nga veshi”, tregon Luljeta.
“Një moment u ngrit dhe u ul te divani”, kujton mes lotësh. “Te divani ka mbetur një njollë gjaku e djalit”, tregon ajo dhe lëviz batanijen që e ka mbuluar.
Babai i Eneas, Arturi qëndron në heshtje. Nuk mundet ende ta besojë se djali i tij i madh që e shoqëronte cdo ditë për kafe, pasi ai është indalid nuk jeton më. Ka humbur jetën në vatrën e shtëpisë, aty ku ai e mendonte të sigurt. “Enea sapo kishte ngrënë një kafshatë. Ora ishte 02.13 e mëngjesit. Hante në atë orar, se punonte turn i tretë. Po shkonte në tualet të lante duart. Po priste të dilte djalit tjetër. Ndaj u gjend pranë derës”, tregon nëna.
Pas shpërthimit të tmerrshëm, ambulance mbërriti dhe e mori Enean. Mjekët kuptuan se ai kishte pësuar thyerje të shumta. Enea ra në koma. Për gati 80 ditë nëna e tij, nuk u largua për asnjë moment nga Spitali i Traumës. E vizionte moment pas momenti në reanimacion. Ndërsa flinte, sa mundej te një hotel përballë. Miqtë e Eneas, ishin ndër të paktën që u kujdesën për familjen me shumë probleme e halle, e cila nuk kishte mundësi as të përballonte shpenzimet për funeralin e të birit. “Vuajti shumë djali. E rritëm dhe eduakum të ishte një djalë i mbarë. U vra në shtëpi, pa patur asnjë faj”, shprehet Luljeta.
Familja Thomaraj njihet si një nga familjet model në Elbasan. Dy djemtë e Artur dhe Luljeta Thomaraj kurrë nuk ishin përfshirë në ndonjë konflikt. Enea punonte në një kompani brenda Metalurgjikut. Shpesh i takonte të ishte turn i tretë. Mëngjesin e ditës së nesërme ai dilte me babain e tij të sëmurë, kujdesej për të. Përballë familjes prej 4 pjesëtarësh, ishte vendosur prej më shumë se 1 viti e 5 muaj Alda Nikolli, nënë e një fëmije, e cila tha publikisht se ishte në një marrëdhënie me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani. Ditët përpara se të ndodhte shpërthimi në derën e apartamentit të tyre, kishte ardhur dhe motra tjetër Xhovana, e fejuara e një tjetër të penduari të drejtësisë Amarildo Nikolli Xhanej. Artur e Luljeta Thomaraj as e kishin idenë se kush ishin fqinjet e tyre, por sa herë mundeshin i ndihmonin. Pas tragjedisë se tyre ata mësuan nga mediat se kush ishin motrat Nikolli.
Sot, kaq muaj më vonë, prindërit e Eneas e kanë të vështirë të jetojnë në atë banesë ku ndërroi jetë djali i madh i tyre. Por të dy janë të sëmurë dhe gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Për asnjë moment nuk kërkojnë ndihmë, vetëm drejtësi për jetën e Eneas.”Si nënë zemra ma thotë se do të zbardhet ngjarja, Ai që e bëri të dënohet”, thotë Luljeta. Ne jetojmë cdo ditë me kujtimet e Eneas, lutemi cdo ditë për të – thonë prindërit – të cilët teksa shpresojnë për drejtësi, kuptojnë se janë të braktisur nga shteti dhe institucionet që kanë detyrimin të kujdeset për ta.