Pretendimet e Alda Nikollit, se tritoli që shpërtheu në banesën me qira ku ajo jetonte me të motrën në Elbasan ishte urdhëruar nga Nuredin Dumani, bëri që dosjen hetimore ta marrë në dorë SPAK.

Bashkë të dhëna të tjera të dëshmuara nga Nikolli, kjo çështje do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, e cila që prej vitit 2022 ka lidhur bashkëpunim me Nuredin Dumanin, i cili ka rrëfyer krimet në të cilat është përfshirë.

Vërtetimi i dyshimeve të ngritura nga e reja do të ndikonte më pas në marrëdhënien e bashkëpunimit të Dumanit me SPAK.

Sa i përket ngjarjes, gazetari Artan Hoxha shprehet se duket si diçka e organizuar.

I ftuar në “TopTalk”, ai tha se kjo mund të jetë përdorur për të dëmtuar Nuredin Dumanin, por nuk është e habitshme nëse këtë akt e ka urdhëruar ky i fundit.

Hoxha deklaron se njëra nga motrat Nikolli kishte shkuar në SPAK pesë ditë para ngjarjes, ku ka deklaruar se është kërcënuar me jetë.

Nëse i vëmë re tre ngjarjet e ditëve të fundit, pra ngjarja e Memaliajt, ngjarja e Gramshit dje, ngjarja e Pogradecit dhe ngjarja e Elbasanit, të gjitha kanë pasur dëme anësore, ose më saktë ka pasur dëme te njerëz të pafajshëm. Në Pogradec ishin pastrueset e bashkisë, jeta e tyre u rrezikua. Në Gramsh ndodhi në rrugën kryesore të qytetit. Në Memaliaj ne pamë që u vra një kamarier, një njeri që shyqyr ka qëndruar në atë qytet që të punojë. Nuredin Dumani është një personazh që mori shumë rëndësi që nga viti 2022 e mbrapa. Është kthyer sot në bashkëpunëtorin numër 1 të drejtësisë shqiptare, për shkak të krimeve që ai ka marrë pjesë. Dhe ai ka një numër të madh krimesh që ka qenë direkt. Pra ne nuk kemi një vrasës me pagesë, por kemi brigadierin e një skuadre vrasësish me pagesë, i cili merrte porosi nga jugu, nga veriu dhe qëndronte në Kosovë.

Në rastin konkret, njeriu i kthyer në bashkëpunëtorin, ose thesarin do e quaja unë të SPAK-ut për hetimet e fundit, del i përfshirë në një situatë tjetër. Vendoset eksplozivi dhe rrezikohet jeta, se akoma nuk është jashtë rrezikut personi që mbeti i plagosur në Elbasan, por menjëherë mbas ngjarjesh çfarë ka ndodhur. Ndërsa dy motrat Nikolli kanë shkuar të japin deklarimin në policinë e Elbasanit, menjëherë nga Tirana kanë shkuar pjesëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kanë bllokuar çdo veprim të policisë së Elbasanit. I kanë thënë: “Stop, ndërpritini të gjitha”, sepse e ka marrë SPAK-u. Në pistat e SPAK-ut, kjo ngjarje mund të jetë edhe e organizuar për t’i dëmtuar besueshmërinë Dumanit dhe për të bërë atë që thonë mbi statusin, status të cilin ai, për shkak se ka qenë vetë i pasinqertë, duhet ta kishte humbur. Njëra nga motrat Nikolli e ka njoftuar SPAK-un se është e kërcënuar nga filan person dhe i rrezikohet jeta. Pesë ditë para. Që të nesërmen e ngjarjes ka shkuar SPAK-u, e ka marrë SPAK-u si çështje. Mua nuk më duket farë çudi që Dumani është i përfshirë. Nëse atij i lë pak mundësi, ai e tregon veten. Mënyra se si ai komunikon jashtë, tregon që ata që i kanë treguar garanci, duhet të kenë kujdes. Nuk është Dumani që meqë ka treguar atje, ka ndryshuar sjelljen, jo, ai është i gatuar në atë formë. Është një njeri që ka kallëzuar dhe vëllanë e vet. Ai është në këto kushte që po i dhe liri, e shfrytëzon shumë mirë”, u shpreh Hoxha.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të datës 14 Korrik, në banesën e marrë me qira nga motrat Alda dhe Xhovana Nikolli.

Nga shpërthimi u plagos aksidentalisht një 26-vjeçar, që është ende në gjendje të rëndë për jetën dhe u dëmtuan disa apartamente të pallatit.