IMG_9253

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka ndryshuar qëndrimin e saj zyrtar për origjinën e Covid-19, duke deklaruar se ka “më shumë gjasa” që virusi të ketë dalë nga një rrjedhje laboratorike në Kinë, sesa nga transmetimi natyror prej kafshëve.

Ky vlerësim i ri erdhi pas konfirmimit të John Ratcliffe si drejtor i CIA-s. Ratcliffe, i cili ka shërbyer si drejtor i inteligjencës kombëtare gjatë presidencës së parë të Donald Trump, ka theksuar se një nga prioritetet e tij kryesore është shqyrtimi i plotë i origjinës së virusit.

Ratcliffe ka deklaruar në një intervistë se të dhënat e grumbulluara tregojnë një lidhje të fortë me Institutin e Virologjisë në Wuhan. Ky ndryshim pozicioni ka ndezur sërish debatet mbi transparencën e qeverisë kineze dhe hetimet ndërkombëtare mbi origjinën e pandemisë që shkaktoi miliona viktima në mbarë botën.

CIA pritet të publikojë detaje shtesë mbi këtë vlerësim në ditët në vijim./gazetajone