![476412836_10162422675621952_8297286181545146034_n](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/476412836_10162422675621952_8297286181545146034_n.jpg)
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetime paraprake ndaj Kryetares së Komisionit të Ligjeve dhe deputetes së Partisë Socialiste, Klotilda Bushka.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, ajo është regjistruar si person nën hetim për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë, janë konstatuar të dhëna konkrete që çojnë në dyshimin e arsyeshëm se ajo ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat kanë ndërhyrë në hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal ndaj Erion Veliajt.
Më konkretisht, Bushka akuzohet se ka tentuar të pengojë organin e akuzës dhe ka ndërmarrë veprime për të ndikuar në rrjedhën e hetimeve ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Njoftimi zyrtar i SPAK:
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.”/ gazetajone